Kosova ka hyrë në javën vendimtare politike. Partitë duhet të zgjedhin president të ri brenda këtyre shtatë ditëve numëruar nga sot, ose shteti hyn në cikël të ri zgjedhor.
Të mërkurën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Ndonëse secila parti është shprehur kundër zgjedhjeve të reja, në publik s’janë parë lëvizje që çojnë drejt shmangies së tyre. Megjithatë, Partia Demokratike, si e dyta më e madhja në Parlament, ka thënë se tani është e gatshme të diskutojë për president, me kushtin që në Kuvend të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi biseduar, kemi deklaruar që kur ta kemi Ligjin e aprovuar, jemi të hapur të bisedojmë për t’i dhënë vendit president. Nuk kemi fol nga kush, por për mundësinë që ta kemi presidentin. Nuk është në rregull të japim emra në tavolinë kur nuk jemi tek ajo pikë, tek ajo pikë me PDK-në nuk mund të mbërrihet pa kaluar ligji”, ka thënë kryetari Bedri Hamza.
PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Aleanca është partia tjetër që pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj, Albin Kurti. Partia më e vogël parlamentare shqiptare vazhdon të refuzojë takimet, pa iu plotësuar kërkesat e saj, të udhëhequra nga ajo për gazin amerikan.
E vetmja parti që pati takime me Kurtin qe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo parti pati edhe marrëveshje me Kurtin për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër dhe u rrezikua numri prej 80 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur presidentin në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidimi. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime mes LDK-së e VV-së.
Moszgjedhja e presidentit të ri deri më 6 tetor e çon vendin në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. Këto zgjedhje do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet. Në shkurt vitin e shkuar zgjedhjet ishin të rregullta, ndërsa më vonë në pamundësi të formimit të qeverisë u mbajtën në dhjetor. Qershorin e këtij viti u bënë për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president./Koha






Komente
Komento