Një 30-vjeçar shqiptar është ndaluar nga policia në Romano, pasi dyshohet se ka kërcënuar kalimtarë me thikë dhe dy çekiçë në qendër të qytetit. Sipas raportimeve, burri ishte në gjendje të rënduar dhe dyshohet se mund të kishte konsumuar lëndë narkotike.
Ngjarja ndodhi pasditen e 18 shtatorit, pranë një biznesi dhe një stacioni autobusi, ku në atë moment ndodheshin edhe shumë nxënës të shkollave të mesme që prisnin autobusin.
Policia u njoftua pas disa telefonatave nga qytetarë, të cilët raportuan se një person po i kërcënonte me një thikë me teh të palosshëm. Patrullat që ndodheshin në zonë u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Në momentin kur efektivët mbërritën, 30-vjeçari ishte larguar. Megjithatë, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së një biznesi, policia arriti ta identifikonte dhe nisi kërkimet për kapjen e tij.
Pak më vonë, ai u lokalizua në sheshin “Papa Giovanni XXIII”. Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari mbante nga një çekiç të madh në secilën dorë.
Efektivët, të koordinuar nga komandanti Arcangelo Di Nardo, arritën t’ia hiqnin çekiçët pas një ndërhyrjeje jo të lehtë, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti edhe një thikë me teh të palosshëm rreth 8 centimetra të gjatë, si dhe rreth një gram kokainë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se dy çekiçët që ai mbante ishin vjedhur po atë mëngjes nga një furgon në pronësi të një punëtori që po kryente punime në zonë.
Nga marrja e dëshmive dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, policia arriti të rindërtonte edhe episode të tjera të ndodhura gjatë së njëjtës ditë. Sipas hetimeve, 30-vjeçari dyshohet se kishte sulmuar dhe kërcënuar edhe tre persona të tjerë, të cilët më pas depozituan kallëzime zyrtare.