Pamje të rënda! Gazetari raportonte për një aksident fatal, makina përplas 14-vjeçaren me skuter
Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv në Poloni, kur një gazetar që po raportonte për një aksident fatal, ishte dëshmitar i një aksidenti tjetër të ndodhur live.
Gazetari i TVP Info, Milos Sieliovonçink, po transmetonte nga veriu i Polonisë për një aksident ku kishte humbur jetën një fëmijë trevjeçar. Ndërsa ndodhej në transmetim, në sfond u shfaq një 14-vjeçare që po lëvizte me një skuter elektrik.
Pak sekonda më vonë, vajza u përplas nga një automjet dhe përfundoi në rrugë. Sipas TVP, dy aksidentet nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin, por ndodhën në të njëjtin vend dhe pothuajse në të njëjtën kohë.
Gazetari tha se dëgjoi një përplasje pas tij dhe kameramani bërtiti: “O Zot!”. Ai i kërkoi operatorit të vazhdonte filmimin dhe të fokusohej te targa e automjetit, në mënyrë që informacioni t’u dorëzohej autoriteteve.
Ekipi televiziv iu afrua menjëherë vajzës për t’i dhënë ndihmën e parë dhe telefonoi shërbimet e emergjencës. Sipas gazetarit, ekipet e shpëtimit mbërritën brenda rreth tre minutash.
14-vjeçarja ishte e vetëdijshme dhe kërkoi të kontaktonte nënën e saj. Ajo u dërgua në spital për kontrolle dhe, sipas informacioneve paraprake, kishte pësuar vetëm dëmtime të lehta.
Shoferi i automjetit u kthye më vonë në vendngjarje dhe, sipas gazetarit, dukej i tronditur nga ajo që kishte ndodhur.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të përplasjes.




