Vjehërrit akuzohen për vrasjen e drejtuesi ekzekutiv të “New York Times”, policia heton pistën e hakmarrjes
Jonathan McKinsey, 40 vjeç, i cili punonte si drejtues në departamentin e lojërave elektronike të New York Times, u vra me armë zjarri nga vjehrri dhe vjehrra e tij.
Sipas policisë, 77-vjeçari Shouyong Zhang dhe bashkëshortja e tij, 77-vjeçarja Shili Chen, e qëlluan McKinsey-n në një parking në qytetin Dublin, në perëndim të San Franciskos, të shtunën pasdite.

Dëshmitarët thanë se dy të moshuarit e qëlluan “njëri pas tjetrit”. Një dëshmitar deklaroi: “E pashë burrin të binte në tokë; kishte gjak në kokë dhe në gjoks.” Një tjetër tha se pa çiftin “duke ecur së bashku dhe më pas duke u larguar qetësisht nga vendi i të shtënave”.
Dy 77-vjeçarët u arrestuan vetëm pak minuta më vonë nga një oficer policie që po kalonte aty pranë. Ata nuk ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe akuzohen, ndër të tjera, për vrasje të shkallës së parë.
A ishte hakmarrje?
Hetuesit po shqyrtojnë nëse motivi i vrasjes ishte hakmarrja, pasi prindërit e gruas së McKinsey-t dyshohet se besonin se ai kishte abuzuar me vajzën dhe nipin e tyre.
Sipas raportimeve, ndaj 40-vjeçarit kishte pasur më parë denoncime për abuzim të fëmijës dhe raportime për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij, Candice Zhang.
Dokumentet gjyqësore të cituara nga New York Post tregojnë se McKinsey u akuzua në vitin 2025 për dy vepra penale të lehta të lidhura me abuzimin e fëmijës. Bashkëshortja e tij kishte telefonuar policinë duke pretenduar se ai kishte goditur djalin e tyre gjashtëvjeçar në fytyrë.
Ajo gjithashtu u kishte treguar hetuesve për një incident të dhunës në familje në vitin 2018, gjatë të cilit, sipas deklarimit të saj, McKinsey i kishte shkaktuar një mavijosje në krahun e majtë.
McKinsey u deklarua i pafajshëm për të dyja akuzat dhe u lirua nga burgu me kusht që të ndiqte kurse për prindërimin.
Në dhjetor, McKinsey paraqiti kërkesë për divorc nga Zhang, ndërsa më pas nisi edhe një konflikt gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve të tyre.




