Manovrat me makinë mbi trotuar, teksa filmonte një video për TikTok dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve, i kanë kushtuar 60 mijë lekë (të rinj) gjobë 21-vjeçarit Ilibert Lila në Berat. I riu është identifikuar nga policia pasi pamjet, ku automjeti shihet duke lëvizur në trotuar dhe duke rrezikuar kalimtarët, u publikuan në rrjetin social.

Pas verifikimeve, Policia Rrugore e Beratit e shoqëroi 21-vjeçarin në komisariat dhe e ndëshkoi me masë administrative 60 mijë lekë.

Por pavarësisht se në pamjet e publikuara automjeti lëviz mbi trotuar, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, 21-vjeçarit nuk i është hequr patenta për këtë shkelje.

Policia njofton vetëm se atij i është tërhequr leja e qarkullimit të automjetit, dhe kjo pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit rezultoi se makina ishte pa kontroll teknik dhe pa siguracion.

Njoftimi i policisë:

Berat/Lëvizi me automjet, në trotuar, në qytet, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë dhe i tërhiqet leja e qarkullimit.

Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.   

Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.   

Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.    

Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon qytetarët për kontributin e tyre në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në numrin 112.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë