Edhe dy persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, siç njoftoi Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Këto identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet në Kalludër e Jabukë, në komunën e Zubin Potokut dhe as me zhvillimet e fundit apo lokacionet e tjera të adresuara gjatë vitit.
Bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, që tani ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësinë Ligjore.
Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësinë Ligjore, i cili, pas verifikimeve përkatëse, konfirmon zyrtarisht identifikimin. Gjatë kësaj jave, familjet do të njoftohen për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm, në përputhje me procedurat përkatëse, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Njoftimi vjen pasi fillimisht u raportua nga media se dy personat e identifikuar ishin në mesin e atyre të gjetur në Zubin Potok, ku ende po vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël e Jabukë.
Pas konfirmimit të tri viktimave të para: Idriz Rrecajt, Adem Beqirit de Salih Mëziut, autoritetet po punojnë për identifikimin e 20 viktimave të tjera të gjetura atje.
Mostrat e këtyre mbetjeve mortore janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë të Holandës, te Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Varrezat në Kalludër të Vogël dhe Jabukë u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të institucioneve të Kosovës, që po vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur edhe në territorin e Serbisë.
Aktualisht, institucionet kosovare janë kthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit. Aty u identifikuan tri pika për vlerësim në terren, edhe në bazë të pamjeve satelitore.