Në Bolzano të Italisë u arrestua një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar me 12 vjet burg nga drejtësia në Shqipëri për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim. I mbeten për të vuajtur edhe 9 vite heqje lirie.
Në pranga, me qëllim ekstradimi ra Vanxhel Balla, lindur në Dibër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Prangosja e tij u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e ka dënuar Ballën në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, së bashku me vëllanë e tij, shtetasin A. Balla, pas një konflikti për motive të dobëta, vranë me mjet thikë, shtetasin A.Z., alias I.Z.
Pas arrestimit në Bolzano, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, nisi procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit drejt Shqipërisë, për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare.