Shqipëria ka bërë progres në sistemin financiar në dekadën e fundit. Ky është konkluzioni i nxjerrë së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore pas përmbylljes së Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar për Shqipërinë.

Sipas vlerësimit Shqipëria ka institucione financiare më të shëndetshme, një sistem financiar më të larmishëm, me një infrastrukturë pagesash të modernizuar, zgjerim të ndërmjetësimit financiar dhe adoptim të risive teknologjike në ofrimin e produkteve financiare.

Në takim ku morën pjesë disa institucione guvernatori Gent Sejko është shprehur se sistemi financiar do të vijojë të përmirësohet edhe në përgjigje të zhvillimeve inovative, ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë rekomanduar që sistemi financiar të rrisë kontributin e tij në financimin e ekonomisë reale.

Vlerësimi evidenton gjithashtu se kuadri ligjor dhe rregullator është përafruar ndjeshëm me atë të Bashkimit Evropian, duke forcuar mbikëqyrjen e sistemit financiar.

Në fokus të analizës kanë qenë edhe aftësia për përballimin e krizave financiare, administrimi i rreziqeve, mbrojtja kibernetike, financimi digjital, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit.

FMN-ja dhe Banka Botërore rekomandojnë forcimin e mëtejshëm të sistemit përballë rreziqeve të ardhshme. Rekomandimet pritet t'u shërbejnë autoriteteve shqiptare edhe në reformat për përafrimin me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.