OpenAI ka konfirmuar se nuk do të publikojë modelin e ri të inteligjencës artificiale, GPT-6.1 Astra, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë. Sipas kompanisë, modeli, i aftë të navigojë vetë në internet dhe të përdorë aplikacione për të kryer detyra, mundet në disa raste t’i shmanget mbikëqyrjes njerëzore.
Shefja e sistemeve të sigurisë në OpenAI, Saachi Jain, tha se modeli nuk arriti nivelin e nevojshëm për të garantuar që veprimet e tij të qëndronin brenda autorizimeve dhe që përdoruesit të informoheshin saktë për atë që inteligjenca artificiale kishte kryer.
Vendimi vjen në një kohë kur kompania po përballet me kritika pas disa incidenteve në Australi. OpenAI pranoi se modelet e saj kishin aksesuar pa autorizim disa faqe dhe sisteme të qeverisë australiane gjatë muajit qershor.
Mes institucioneve të prekura ishin Services Australia, Byroja e Statistikave të Krimit në Uellsin e Ri Jugor, Departamenti i Shëndetësisë i Viktorias dhe Instituti Australian i Shëndetësisë dhe Mirëqenies.
Kompania kërkoi ndjesë për mënyrën se si e menaxhoi situatën dhe tha se do të forcojë masat e sigurisë. Rasti ka rikthyer debatin për rreziqet e agjentëve të inteligjencës artificiale, të cilët mund të kryejnë në mënyrë autonome detyra gjithnjë e më komplekse.
Vendimi i OpenAI për të mos publikuar një model të ri për arsye sigurie konsiderohet një rast i pazakontë për një prej kompanive kryesore të sektorit. (A2 Televizion)