Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se edhe dy persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.
Të lidhura
None found
Sipas Komisionit, këto raste nuk kanë lidhje me zhvarrosjet e kryera në Kalludër e Jabukë të komunës së Zubin Potokut, me zhvillimet e fundit apo me lokacione të tjera të trajtuara gjatë këtij viti.
Identifikimi i referohet mbetjeve mortore që ishin zhvarrosur më herët dhe që aktualisht ruhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore.
Komisioni njoftoi se raportet e ADN-së i janë përcjellë Institutit për Mjekësi Ligjore. Pas verifikimeve të nevojshme, ky institucion e ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e dy personave.
Familjet e tyre pritet të informohen gjatë kësaj jave për rezultatet dhe procedurat e mëtejshme.
Kryesuesi i Komisionit, Agron Limani, kishte deklaruar një ditë më parë për KTV-në se personat e identifikuar vinin nga komunat e Klinës dhe Istogut.
Fillimisht, disa media raportuan se dy viktimat ishin pjesë e mbetjeve mortore të zbuluara në Zubin Potok. Megjithatë, ky informacion u sqarua më pas nga autoritetet.
Në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë vazhdon puna për identifikimin e mbetjeve të gjetura gjatë verës. Deri tani janë konfirmuar viktimat Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu, ndërsa mbetet të identifikohen edhe 20 persona të tjerë.
Për analizimin e tyre, mostrat e mbetjeve mortore janë dërguar në Hagë të Holandës, pranë Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Zbulimi i varrezave në Kalludër të Vogël dhe Jabukë erdhi pas një hetimi disa muajsh të institucioneve të Kosovës, të cilat po vijojnë kërkimet edhe në territorin e Serbisë.
Aktualisht, ekipet kosovare janë rikthyer në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë zonë janë përcaktuar tri pika që do t’i nënshtrohen vlerësimit në terren, edhe duke u mbështetur në pamjet satelitore.
Institucionet e Kosovës i kanë kërkuar Serbisë qasje në lokacione të tjera, si dhe të dhëna arkivore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka deklaruar se në Serbi janë konfirmuar deri tani pesë varreza masive: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçaci, Rudnica dhe Kizhevaku. Në këto lokacione janë gjetur mbi 950 viktima të luftës në Kosovë.
Gara ka theksuar se, nëse këto pesë vende bëjnë pjesë në listën prej 16 varrezash masive të publikuar në vitin 2001, në territorin e Serbisë mund të ekzistojnë edhe të paktën 11 lokacione të tjera.
Kërkimet vazhdojnë edhe në Kosovë, ku gërmime janë zhvilluar ose janë planifikuar në Skenderaj, Mitrovicë të Veriut dhe në rajonet e Prizrenit, Gjakovës e Pejës.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë bën të ditur se 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa numri i viktimave të dokumentuara të luftës arrin në 12.230. / REL
