Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se mbi 8,000 trupa të Koresë së Veriut ndodhen aktualisht në territorin rus e sipas tij po zhvillohen përgatitje për vendosjen e 10,000 ushtarëve të tjerë.
Në një reagim në X, Zelensky tha se informacionet e fundit tregojnë se Pheniani po vazhdon të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Moskën, duke dërguar personel shtesë për trajnim dhe dislokim të mëvonshëm në Rusi.
Presidenti ukrainas iu referua “të dhënave të reja” mbi praninë e forcave koreano-veriore, duke theksuar se trupat “po zgjidhen për trajnim dhe më pas për vendosje në Rusi”.
Kjo nuk është hera e parë që Kievi paralajmëron për një rritje të përfshirjes së Koresë së Veriut në mbështetje të Rusisë.
Në muajin gusht, Zelensky deklaroi se numri i ushtarëve koreano-veriorë që mund të angazhohen përkrah forcave ruse mund të arrijë deri në 50,000.
Në të njëjtën kohë, i bëri thirrje Koresë së Jugut që të shtojë mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore. Në korrik, Seuli njoftoi një paketë ndihme prej 100 milion dollarësh për Ukrainën, por përjashtoi dërgimin e armëve vdekjeprurëse.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas njoftoi publikisht se dy ushtarët e kapur ishin transferuar në Korenë e Jugut. Autoritetet në Seul shprehën keqardhje, duke argumentuar se ekzistonte një marrëveshje që transferimi të mbahej sekret.