web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush do të jetë “Ergys Agasi” i ri?

29 Shtator 2026, 10:49, Aktualitet CNA

Kush do të jetë “Ergys Agasi” i ri?

Ergys Agasi ishte një personazh jo i panjohur në qarqet politike dhe të përditshmen e kryeqytetit. Shumë zyrtarë, personazhe publike, drejtorë, ministra kalonin nga zyra e tij në zonën e Bllokut në kryeqytet.

Takimet e tjera zhvilloheshin në “Equos Resort”, atje ku Agasi me lidhjet e tij sa tek AKSHI, te Hipoteka, te SHISH, te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe institucionet e tjera zhvillonte karrierën e njerëzve të tij “besnikë”.

Krijonte një rrjet njerëzish në administratë, por në fakt lidhjet e Ergys Agasit shkonin edhe te biznesi për të nxjerrë leje ndërtimi dhe për t'u kthyer në një njeri që “fuste në borxh” biznesin apo bënte ndere me qytetarët dhe shtonte pasurinë nëpërmjet influencës dhe lidhjeve të shumëpërfolura kriminale.

Ergys Agasi nuk është aq “fajtor”, sa ndoshta të gjithë po e rëndojnë. Fjala “gjeti shesh dhe bëri përshesh” është shumë pak në këtë rast.

Atij dikush ia dha gjithë këtë pushtet. Nga emri i tij ka kaluar shkarkimi i të paktën tre ministrave dhe këtë nuk e bën dot Ergys Agasi i vetëm. Dikush duhet ta sqarojë historinë që kalon sa nga Taulant Balla tek Ervin Hoxha e të tjerë.

Nuk emërohet dhe shkarkohet dot një drejtoreshë Hipoteke, një drejtor i Policisë së Shtetit, drejtoreshë e AKSHI-t, në fakt, kjo e fundit ishte vendosur më parë në detyrë, por pati një “lidhje të fortë” korrupsioni dhe skandalesh me Ergys Agasin.

Ai shfrytëzoi sistemin dhe lidhjet e tij me kryeministrin për të shtrirë tentakulat në pushtetin e socialistëve, Rilindjes dhe 99-çave, pasi ky është trinomi i mazhorancës së sotme.

Ergys Agasi ishte një djalë i ri që vinte nga lidhjet politike, ish-zyrtar në Ministrinë e Mjedisit në kohën që drejtohej nga Lefter Koka, djali i një zyrtari të lartë të Partisë Socialiste, si Bardhyl Agasi, që më pas u bashkua me Ilir Metën dhe zgjedhjet e vitit 2021 e në vazhdim do ta bashkonin me Edi Ramën.

Ergys Agasi shfrytëzoi institucionet, emri i tij u bë mjaft i rëndësishëm, një nga njerëzit ku mund të zgjidhje hallet dhe hallet e shumta shqiptarëve nuk u mungojnë.

Por, "perandoria" e tij, AKSHI, Hipoteka, Policia e Shtetit, SHISH-i, tashmë është rrënuar. SHISH dhe Policia e Shtetit, dy nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në vend, menaxhoheshin prej tij, jo thjesht dhe vetëm me emërimin e drejtuesit, por edhe me qelizat e poshtme. Siç është rasti i Policisë Shkencore.

Këto janë shumë pak për ato që janë bërë dhe kanë ndodhur me Ergys Agasin, por përgjegjësia më shumë sesa e këtij individi që ishte një biznesmen në botën e lirë, është e institucioneve të kapura, e mazhorancës dhe e kryeministrit.

Prandaj lajmi tani nuk është më Ergys Agasi, lajmi është kush do të jetë “Ergys Agasi” i ri, sepse kryeministri ynë ka prodhuar shumë të tillë. I merr, i mban pranë, ata ngrihen dhe më pas bien, përfshirë këtu politikanë dhe jopolitikanë. Ergys Agasi është nga grupimi i dytë.

Dashuritë e përkohshme me individë që marrin superpushtet të Edi Ramës janë të pandalshme, ndaj lajmi i radhës duhet të jetë: Kush po e zëvendëson Ergys Agasin? /CNA





Lajmet e fundit nga