29 Shtator 2026, 10:48
Nga G.M
Ndërtesa e Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, pas një sulmi me dronë nga Rusia në Kiev më 28 shtator.
Një valë e re e sulmeve vdekjeprurëse ruse ndaj infrastrukturës civile në qytetet ukrainase po nxit thirrje dypartiake në Uashington që presidenti amerikan, Donald Trump, të përdorë kompetencat e gjera për sanksione të reja ndaj Moskës, ndërsa ligjvënësit argumentojnë se presioni më i madh ekonomik mund t’i forcojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Bombardimet ruse vranë të paktën nëntë persona dhe plagosën më shumë se 80 të tjerë më 28 shtator, sipas zyrtarëve ukrainas. Forcat e Moskës goditën ndërtesa banimi, zyra, qendra të të dhënave dhe Akademinë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit, në një sulm gjatë ditës.
Në orët e para të 29 shtatorit, autoritetet në Kiev raportuan një valë të re sulmesh ruse, ndërsa gazetarët raportuan disa shpërthime të mëdha në kryeqytetin ukrainas. Ende nuk dihen detajet. Sulmet pasuan një javë përpjekjesh diplomatike në OKB, të cilat synuan të krijonin përparim në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, që tani ka hyrë në vitin e pestë.
“Presidenti [i SHBA-së] duhet të veprojë shpejt për të përfituar nga Projektligji i Grahamit për Sanksionet”, i tha Radio Evropa e Lirë më 28 shtator republikani Don Bacon, duke iu referuar legjislacionit të miratuar së fundmi.
“Rusët vazhdojnë të bombardojnë qytetet dhe civilët. Amerikanët, në shumicën dërrmuese, duan ta shohin presidentin të ndërmarrë veprime tani”, tha Bacon. “Ekonomia ruse është një nga pikat tona të ndikimit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë.”
Kjo thirrje është pjesë e një përpjekjeje dypartiake dhe dypalëshe në Kongres që Trump ta përdorë Aktin e Lindsey O. Grahamit për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit të vitit 2026, të cilin Kongresi e miratoi me shumicë të gjerë dhe Trump e nënshkroi në ligj këtë muaj.
Presioni nga Kongresi
Senatori Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura nga radhët e Partisë Republikane, i bëri gjithashtu thirrje Trumpit më 28 shtator që t’i përdorë mjetet ekonomike të parashikuara me legjislacion për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Në një deklaratë të ndarë me REL-in, Wicker vlerësoi përpjekjet e Trumpit për të ndjekur një marrëveshje të negociuar, por tha se Uashingtoni duhet të mbetet “me këmbë në tokë” përballë Putinit, duke argumentuar se Moska ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës pavarësisht përpjekjeve diplomatike.
“Ai tallet me procesin e paqes”, tha Wicker, “por mund të detyrohet ta marrë atë më seriozisht nëse kërcënohet llogaria e tij bankare.”
Wicker tha se ligji i jep Trumpit disa mundësi, përfshirë vendosjen e kufizimeve shtesë financiare ndaj bashkëpunëtorëve të Putinit dhe kompanive që mbështesin prodhimin e armëve ruse, sanksionimin e blerësve të mëdhenj të energjisë ruse dhe shënjestrimin e të ashtuquajturës flotën në hije e Rusisë, e përdorur për t’iu shmangur kufizimeve ekzistuese.
“Paqja do të vijë përmes fuqisë amerikane dhe ukrainase, jo përmes vullnetit të mirë të Putinit”, tha Wicker, duke i bërë thirrje Trumpit që t’i përdorë kompetencat e reja “në masën më të plotë”.
Demokratët që mbështetën legjislacionin po bëjnë gjithashtu presion për zbatimin e tij, me fokus të veçantë në shkurtimin e të ardhurave nga energjia që ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë.
“Do ta monitorojmë nga afër zbatimin e tij”, i tha REL-it më 17 shtator senatorja demokrate, Jeanne Shaheen. “Nuk është vetëm pjesa e sanksioneve që ne e konsiderojmë të rëndësishme, por edhe, siç thashë, mbyllja e të ardhurave”, tha ajo.
Shaheen tha se presioni duhet të shtrihet përtej Rusisë, te vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse, duke veçuar Kinën. Shaheen bëri gjithashtu thirrje për veprime ndaj transaksioneve që përfshijnë flotën në hije, duke thënë se blerësit nuk duhet të jenë në gjendje të sigurojnë naftë dhe gaz rus përmes rrjeteve jo transparente të tregtimit dhe me çmime të zbritura.
Sulme gjatë ditës
Thirrjet u bënë ndërsa Ukraina raportoi një seri tjetër sulmesh ndaj infrastrukturës civile dhe ekonomike. Sulmet me dronë rusë në rajonin e Kievit vranë katër persona dhe plagosën tetë, thanë zyrtarët. Në Kiev, një grua u vra kur një sulm goditi Akademinë Kombëtare të Shkencave në distriktin Shevchenkivskiy. Forcat ruse goditën gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në kryeqytet.
Denys Sienik, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Ukrainës në Uashington, i tha REL-it më 28 shtator se sulmet treguan se Moska po zgjeronte shënjestrimin e infrastrukturës ekonomike dhe teknologjike të Ukrainës.
“Këto sulme e bëjnë të qartë se Putini po investon në vazhdimin e luftës, jo në përfundimin e saj - me pasoja shkatërruese për civilët”, tha Sienik.
Ai përshkroi njerëzit të bllokuar në ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave, të përfshirë nga zjarri dhe tymi, duke qëndruar pranë dritareve teksa përpiqeshin të shpëtonin.
“Ky nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një modeli të vazhdueshëm të agresionit rus që vazhdon të marrë jetë civilësh në të gjithë Ukrainën”, tha Sienik.
Ai argumentoi se presioni më i madh përmes sanksioneve është rrjedhimisht “pjesë thelbësore e përpjekjes për paqe”, duke thënë se masat që kufizojnë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën mund të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve.
Ku të ushtrohet presioni?
Legjislacioni i jep administratës amerikane disa rrugë të mundshme për të rritur presionin ekonomik, por ekspertët e sanksioneve thonë se disa nga mundësitë më të menjëhershme përfshijnë objektiva që deri tani i kanë shpëtuar kufizimeve amerikane.
“Shumë prej kompetencave të miratuara në këtë ligj tashmë ishin në dispozicion të presidentit”, i tha REL-it Elaine Dezenski, drejtuesja e Qendrës për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Por ligji do të ofrojë shtysë shtesë për rishikimin e individëve dhe subjekteve që mund t’u nënshtrohen sanksioneve, por që ende nuk janë shënjestruar”, shtoi ajo.
Dezenski veçoi në veçanti flotën në hije të Rusisë dhe subjektet e huaja të përfshira në tregtinë e saj të energjisë.
“Kjo është e rëndësishme, pasi shumë prej anijeve të flotës së hijes së Rusisë mbeten të pasanksionuara”, tha ajo. “E njëjta gjë vlen edhe për shumë prej blerësve kinezë të naftës ruse dhe furnizuesve të projekteve të sanksionuara të infrastrukturës energjetike të Rusisë.”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar se legjislacioni i jep Trumpit hapësirë të konsiderueshme për të vendosur se si t’i zbatojë kompetencat e reja.
“Ligji i jep presidentit kompetenca për vendosjen e tarifave”, u tha Rubio gazetarëve në Nju Jork më 23 shtator, në përgjigje të një pyetjeje të REL-it.
Rubio tha se ligji parashikon gjithashtu përjashtime për arsye të sigurisë kombëtare, duke i mundësuar Trumpit t’i zbatojë masat në mënyrë selektive.
“Ajo që presidenti ka tani në duar është një mjet në kutinë e tij të mjeteve, të cilin mund ta përdorë jo vetëm për të ndikuar në atë që ndodh në Rusi dhe Ukrainë dhe në atë konflikt, por potencialisht edhe në atë që po ndodh me Iranin”, tha Rubio. “Se si do ta përdorë atë është në dorën e tij të vendosë dhe në dorën e tij ta njoftojë.”/REL
rusi ukraine donald trump rel
Bota
29 Shtator 2026, 10:26
G.M
Falluxha, Irak
IRAK- Shtetet e Bashkuara po përfundojnë tërheqjen e trupave të tyre nga Iraku, duke i dhënë fund një pra...
Bota
29 Shtator 2026, 10:01
E. D
ZVËRNEC- Tre vite më parë, banorët e Zvërnecit u thirrën në një takim në një lokal përgjatë rrug&e...
Bota
29 Shtator 2026, 09:50
E. D
KATAR- Mohammad Masood Jamshidi ishte pjesëtar i sigurimit në Konsullatën amerikane në Herat kur ajo u sulmua me bomba nga talibanët....
Bota
29 Shtator 2026, 09:09
E. D
Papa Leoni
FRANCË- Në ditën e fundit të vizitës së tij katërditore në Francë, Papa Leoni XIV, në fjalimi...
Bota
29 Shtator 2026, 08:39
E. D
Donald Trump
SHBA- Krerët e kompanive kryesore të Inteligjencës Artificiale do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë ...
Bota
29 Shtator 2026, 08:29
E. D
BioNTech, prodhuesja e vaksinave kundër COVID-19, mbyll tri fabrikat në Gjermani
GJERMANI- Kërkimi disamujor për blerës dësht...
Bota
29 Shtator 2026, 08:09
E. D
Donald Trump
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar ndërtimin e një fabrike gjigante çeliku në Iowa, një projekt q&e...
Bota
29 Shtator 2026, 08:03
E. D
foto ilustruese
Sektori i blegtorisë gjendet në vështirësi, për shkak të kostove të larta dhe subvencioneve të ul&e...
Bota
29 Shtator 2026, 07:28
E. D
foto ilustruese
TIRANË- Industria shqiptare shënoi rritje në prodhimin e disa prej produkteve kryesore gjatë vitit 2025, por rezul...
Bota
28 Shtator 2026, 22:58
E. D
Sheikh Mohamed bin Zayed al-Nahyan
DUBAI- Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed al-Nahyan dhe kryeministri izraelit Benj...