Paradoksi: Republika 100 - vjeçare e Shqipërisë - pa datë zyrtare të lindjes së saj!

29 Shtator 2026, 11:00Blog Nga Hamdi Jupe

Shqipëria është republikë parlamentare. E thotë Kushtetuta. Neni 1: Shqipëria është republikë parlamentare. Të gjitha dokumentet dhe shkresat zyrtare të shtetit tonë  kanë në krye  togfjalëshin e magjishëm “Republika e Shqipërisë”. Se luan as topi. Në vitin 1997 në vend u zhvillua një referendum kombëtar për formën e regjimit: monarki apo republikë. Fitoi republika.

Çdo gjë është e qartë. Por pikërisht këtu fillon paradoksi. Republika e Shqipërisë nuk ka ende një datë zyrtare të lindjes së saj. Kur u themelua Republika jonë? Cila është “datëlindja” e saj që duhet festuar e respektuar, siç bëjnë të gjithë popujt e kulturuar të botës me republikat e tyre? Kush ishte institucioni që e shpalli vendin tonë republikë? Kur, ku, kush e shpalli? Kush e dekretoi, kush e ratifikoi? Nuk e thotë askush, nuk e kujton askush, nuk e kremton askush. Vetëm se të gjithë i falemi asaj, Republikës, nga mëngjesi në mbrëmje.  Dhe republika jonë, aq e dashur për të gjithë, ka mbetur pa datëlindje, pa vendlindje, pa atësi dhe pa amësi. Ne kemi festë zyrtare kombetare edhe për ditën e ashuresë, por nuk kemi festë për ditën e Republikës. Ky është paradoksi. Kjo është për të ardhur keq.

Kush duhet ta vendosë se cila është data, muaji dhe viti i shpalljes së republikës sonë? Natyrisht, Kuvendi i Shqipërisë. Ai është institucioni që përfaqëson popullin. Por deri më sot, pas 35 vitesh demokraci, nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe kjo nuk e nderon atë. Këtu pastaj shejtani kërkon arsyet se përse Parlamenti nuk e ka çarë kokën për Republiken e vet, duke i kaluar anash  deri më sot problemit.

Një nga arsyet mendoj se ka qenë kompleksi i frikës se po na akuzojnë se po ngrejmë këtë e po ulim atë ngjarje a vendim të marrë më pare etj. Prandaj më mire të mos i qasemi fare asaj teme. Ta lëmë ashtu siç është në heshtje, pa datë të lindjes. Mire eshte edhe ashtu, c’na duhet data. Republika nuk ka gojë të ankohet, nuk kërkon as bukë, as ujë, as drita. Ajo nuk na padit dot në gjykatë pse e kemi lënë pa datëlindje. Le të vazhdojmë kështu siç jemi në tym, në terr informativ. Edhe Jezu Krishtit nuk i njihet as babai dhe as data e lindjes. Por kjo nuk është zgjidhje. Kjo është injorancë dhe, më falni për termin, dyfytyrësi. Nga njera anë t’i falesh përditë në punën tënde fjalës “republikë” dhe nga ana tjetër të mos guxosh të vendosësh se cila është data e shpalljes së saj! Për të ardhur keq.  

Natyrisht, është një lloj pune për t’u bërë në këtë drejtim, së pari nga historianët për të sqaruar disa çështje që i takojnë fushës së tyre. Dihet se republika shqiptare ka një histori të vetën si çdo dukuri tjetër në këtë botë dhe kjo histori i kalon të 100 vjetët, pavarësisht se e çfarë natyre ka qenë ajo në përmbajtjen e saj. Republika nuk u shpall për here të pare në vitin 1998, kur u miratua Kushtetuta e plotë demokratike e vendit, të cilës i falemi tani. Ajo ka egzistuar vite më parë. Në vitin 1991 Kuvendi i parë pluralist miratoi ligjin kushtetues “Mbi dispozitat kryesore kushtetuese”, ku është e sanksionuar qartë. Neni 1: “Shqipëria është republikë parlamentare”. Po a mund të thuhet se republika jonë u shpall  për herë të parë në vitin 1991? Absolutisht jo. Ky do të ishte mohim i historisë 114 – vjeçare të shtetit shqiptar.

Më 11 janar të vitit 1946 Asambleja Kushtetuse e zgjedhur nga populli vendosi se Shqipëria më tej do të ishte Republikë Popullore. Përtej ngarkesave politike me natyre komuniste që kishte ai vendim, dihet që ai i ndaloi për 45 vjet rrugën rikthimit të monarkisë në vend, njëlloj si referendumi i vitit 1997. E gjithë periudha komuniste nuk ishte monarki. Ajo ishte “Republikë popullore” në letra dhe diktaturë e proletariatit në praktikë, e deklaruar kjo me të madhe nga regjimi. Në punën e historianëve për të gjetur datën e shpalljes për herë të parë të republikës nuk mund të injorohet edhe kjo periudhë, me gjithë ngarkesat politike që ka. Të paktën ai regjim e përkujtonte çdo vit 11 janarin, ndërsa ne sot sillemi totalisht si “gjindje pa shkollë” për këtë çështje. Ja pra që u bënë tri data deri tani që duhet të jenë objekt i punës së historianëve.

Qeveria e Përkohshme e Vlorës (4 dhjetor 1912) u ngrit dhe funksionoi si një demokraci përfaqësuese. Ajo drejtohej nga kryeministri dhe kishte në thelb natyrë republikane. Pleqësia e Vlorës përbëhej nga 18 vetë dhe bënte punën e Kuvendit. Në këtë kohë nuk bëhej fjalë për “monarki” a “republikë”, sepse kishte kokëçarje të tjera të mëdha para institucioneve ende ne pelena të shtetit të ri.  A mund të shërbejë ajo periudhë si bazë për të thënë se ajo ishte koha e lindjes së republikës shqiptare? Pak e besueshme kjo prandaj, gërmo Tare gërmo!

Republika shqiptare na del për herë të parë zyrtarisht me këtë emër më 21 janar të vitit 1925. Asambleja Kushtetuese e zgjedhur nga populli në dhjetor të vitit 1923, e shpalli Shqipërinë “Republikë parlamentare” pikërisht ne datën e mësipërme. Forma republikane e shtetit u legjitimua përmes miratimit nga Asambleja të Statutit të Republikës Shqiptare. Kjo republikë funksionoi deri në vendosjen e monarkisë në vitin 1928. Kështu, në këtë rast kemi edhe aspektin formal, juridik të shpalljes së republikës, edhe egzistencën dhe funksionimin në praktikë të saj për një periudhë rreth katërvjeçare.

A është kjo ngjarje një bazë solide për ta shpallur atë si datë të themelimit për herë të parë të Republikës së shtetit shqiptar? Pse jo. Por nuk është gazetari që e vendos këtë. Duhet  ta thotë  Akademia e Shkencave, pas konsultimesh me historianët. Ajo pastaj do të duhet t’i rekomandojë Kuvendit miratimin e vendimit për njohjen e datës historike të themelimit të Republikës së Shqipërisë. Natyrisht që Akademia do të futej në lojë me kërkesën e Kuvendit. Miratimi i kësaj date kohë më parë, do të thoshte që në janarin e vitit të kaluar, të ishte festuar me madhështi 100 – vjetori i republikës sonë. Kjo nuk u bë për ato arsye që thamë. Por do të ketë përvjetorë të tjerë për festa.

Kemi një shembull që na frymëzon e na meson: portreti i Ismail Qemalit në zyrat e shtetit shqiptar. Të gjithë e dinim që pavarësinë e Shqipërisë e kishte shpallur i shquari Malo Qemali dhe po ashtu, qeverinë e parë të shtetit të pavarur e kishte drejtuar plaku flokëbardhe. Por u desh të kalonin njëqind e nje vjet kohë (aq sa tani me Republiken) që të dilte dikush, kryeministri Edi Rama e ta vendoste portretin e tij në krye të zyrave të shtetit shqiptar. Më parë në ato zyra ndërroheshin çdo pesë vjet fytyrat jo edhe aq simpatike të presidentëve të radhës, ndërsa tani ka ndërruar puna.

Nuk besoj se, kur të ndërrohet qeveria socialiste, ajo e reja që do të vijë, do të guxojë të ndërrojë portretin fisnik të Plakut të Vlorës me ndonjë surrat tjetër të kohës së sotme, që nuk i afrohet as te thoi i kembes vlonjatit. Do të ishte estradë e vërtetë me atë portretin e ri agurridh. Nuk ka patur asnjë  kontestim gjatë trembëdhjetë viteve rreth kësaj çështjeje. Ja pra tek kthehemi te shprehja: nuk është kurrë vonë për të bërë punë të mira, në rastin konkret, në vendosjen zyrtare të një date të themelimit të Republikës së Shqipërisë, edhe pas 101 vjetësh, siç u bë me Ismail Qemalin.  

Lini një Përgjigje