Lifestyle Travel

“Destinacionet që vlejnë”, One Albania dhe Business Magazine në mbështetje të agroturizmeve shqiptare!

Shqipëria ka përherë një vend të bukur që pret të zbulohet. Mund të jetë një bujtinë e fshehur mes maleve, një tryezë ku buka piqet ende në saç, një kantinë e vogël mes vreshtave apo një shtëpi e vjetër që ka hapur sërish dyert, këtë herë për udhëtarë nga e gjithë bota. Pas tyre qëndrojnë njerëz që kanë zgjedhur të investojnë aty ku kanë rrënjët. Shumë prej agroturizmeve shqiptare kanë histori frymëzuese, produkte cilësore dhe mikpritje autentike, por ende nuk kanë mjetet për të promovuar si duhet sipërmarrjen e tyre.

Pikërisht për këtë arsye, në korrik të këtij viti, One Albania dhe Business Magazine Albania prezantuan “Destinacionet që vlejnë”, një nismë që synon të mbështesë dhe promovojë bizneset e agroturizmit që po krijojnë vlerë për Shqipërinë. Të ftuar në “Wake Up”, Jonilda Filipi, Drejtoreshë e Çështjeve të Korporatës në One Albania, dhe Gert Boshnjaku, themelues dhe drejtues ekzekutiv i New Media Digital, folën për ecurinë e nismës që ka si synim të gjejë agroturizmet që po krijojnë vlerë në zonat ku operojnë dhe t’u japë më shumë mundësi për t’u parë, për t’u lidhur dhe për t’u rritur.

 

“Në One Albania besojmë se teknologjia dhe promovimi cilësor mund t’i ndihmojnë agroturizmet jo vetëm të bëhen më të dukshme, por edhe të zhvillohen më tej. Mbështetja jonë do të përshtatet me nevojat konkrete të çdo biznesi, duke shkuar përtej lidhjes bazë me internet. Mund të jetë internet i dedikuar, Wi-Fi 7, hostim website-i apo zgjidhje smart që lidhen me mënyrën se si biznesi operon, menaxhon rezervimet apo sistemet e ndryshme. Synimi është të kuptojmë çfarë i nevojitet secilit destinacion dhe të ofrojmë një zgjidhje që i sjell vlerë reale”, tha Jonilda Filipi.

Nisma u drejtohet pikërisht bizneseve që kanë zgjedhur të ndërtojnë diçka aty ku kanë rrënjët. Sipërmarrjeve që kanë rikthyer në jetë shtëpi të vjetra, tradita, receta dhe produkte vendase, por edhe atyre që po sjellin mënyra të reja për të zhvilluar turizmin rural.

“Çdo agroturizëm krijon një zinxhir vlere përtej vetë biznesit: sjell punësim, rikthen traditat dhe i jep zhvillim zonës përreth. Pas shumë prej tyre ka histori që kanë nisur në mënyrë modeste, me dy apo tre njerëz, dhe sot janë kthyer në pika referimi për të gjithë zonën. Pikërisht këto histori duam të zbulojmë dhe promovojmë. Mbështetja mediatike dhe teknologjike u jep atyre një mundësi më shumë për t’u njohur dhe, njëkohësisht, për t’u kthyer në shembuj frymëzues për sipërmarrës të tjerë”, u shpreh Gert Boshnjaku.

Përmes “Destinacionet që vlejnë”, secili mund të nominojë një agroturizëm që mendon se meriton më shumë vëmendje. Nominimet do të vlerësohen duke parë jo vetëm eksperiencën që biznesi u ofron vizitorëve, por edhe ndikimin në komunitet, ruajtjen e traditës, kujdesin ndaj mjedisit dhe potencialin për zhvillim. Nisma do të vijojë deri në dhjetor 2026 dhe nominimet mbeten të hapura. Një bujtinë e vogël në mal, një fermë familjare, një kantinë apo një agroturizëm që ka ndryshuar jetën e një komuniteti mund të jetë historia e radhës.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.