Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, ku një 16-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.
Asllan Gjana, futbollist i Byronas Kavala, po luante përballë Aiandas Panagias, në kuadër të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës. Tragjedia ndodhi që në minutën e dytë të takimit.
Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas goditjes së fortë, ai humbi ndjenjat dhe ndeshja u ndërpre menjëherë.
Mjeku i takimit i dha ndihmën e parë, ndërsa në stadium mbërriti edhe shërbimi i urgjencës. Për shkak të gjendjes së rëndë, Asllani u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçari nuk mundi të mbijetojë. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Klubi Byronas Kavala ka reaguar me një mesazh prekës për humbjen e futbollistit të tij.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit.
“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, përfundon mesazhi i klubit.