Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, e parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.
Kërkesa e Këshillit Bashkiak për lejimin e pjesëmarrjes së Veliajt është refuzuar nga SPAK. Këshilli kishte kërkuar që kryebashkiaku të ishte fizikisht i pranishëm në mbledhje ose, në pamundësi, të merrte pjesë përmes videokonferencës.
Kërkesa i ishte dërguar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke qenë se Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim.
Sipas informacionit të bërë publik, refuzimi është mbështetur në dispozitat e ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i cili përcakton rregullat për trajtimin dhe të drejtat e personave në paraburgim, si edhe kompetencat e institucioneve përkatëse.
Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e Veliajt ishte e nevojshme për diskutimin dhe shqyrtimin e çështjeve që lidhen me funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në kërkesën e tij, Këshilli Bashkiak iu referua gjithashtu vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë në mbledhjet e Këshillit lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e përgjegjësive të tij institucionale.












