Nga Ark. Joli Mitrojorgji
Nëse duam të kuptojmë se çfarë ndikimi ka apo duhet të ketë individi apo grupi shoqëror në krijimin dhe transformimin në kohë të formës arkitektonike apo urbane është e pashmangshme përballja me temën e Identitetit.
Gjatë këtij procesi mund të lindin shumë pyetje:
· Cili është kuptimi i termit “identitet”?
· Ku dhe si e dallojmë këtë në arkitekturën vernakulare (popullore ) në Shqipëri?
· Kur ka filluar të flitet për identitet në arkitekturë dhe urbanistikë?
· Çfarë duhet të kuptojmë me manifestim të individualitetit apo kolektivitetit krijues?
· Cilat janë parimet apo kodet, ku duhet të bazohemi për të dalluar vlerat identitare të një vepre arkitekturore apo fakti urban?
· A ekzistojnë formula të gatshme të paracaktuara për të krijuar identitetin?
· A është identiteti, para së gjithash, një mënyrë të menduari?
· Si reagon identiteti, siç e njohim, ndaj ndryshimeve shoqërore?
· A është identiteti proces dinamik i ndryshueshëm në kohë?
· Identiteti është proces i vazhdueshëm krijimi, apo vetëm trashëgimi?
· A mund të orientohet ndryshimi i identitetit në një rrugë të planifikuar paraprakisht në përputhje me kohën dhe kushtet e vendit?
· Përse sot flitet shumë për krizat e identitetit?
· Por pyetja më kryesore mbetet “Përse ne duhet të flasim sot për identitetin dhe cili është vendi i arkitekturës vernakulare shqiptare në kuadrin e plotë Ballkanik?”
Këto pyetje dhe shumë të tjera, që mund të formulojë kushdo që thellohet në njohjen e sfidave të kohës para arkitekturës dhe urbanistikës së një vendi, duhet të jenë themeli në fillesën e punës studimore dhe projektuese.
Kjo është një e vërtetë mbarëbotërore e në të njëjtën kohë, shumë sfiduese në kushtet e vendit tonë. Vend i vogël mesdhetar me një histori të largët shumëshekullore, histori të afërt shumë të traumatizuar nga dogmat ideologjike të viteve 1924-1990, dhe një 35-vjeçar të fundit të pakontrolluar dhe anarkik si vend në tranzicion.
Sot, flitet për identitetin në arkitekturën vernakulare sepse ai është thelbi për kulturën, qëndrueshmërinë dhe autenticitetin (besnikërinë ndaj origjinës) e hapësirave ku jetojmë.
Identiteti vernakular është dinamik: ai ndryshon sipas mënyrës se si evoluon shoqëria.
Le të listojmë ato që konsiderohet si Shtyllat e Identitetit Shqiptar:
Gjuha Shqipe: Është elementi më përcaktues. Shqipja ka qenë “kështjella” që ruajti popullin tonë nga asimilimi përgjatë shekujve.
Lidhja me Tokën (Autoktonia): Ndjesia e të qenit pasardhës të ilirëve dhe vijimësia në trojet ballkanike krijon një lidhje shpirtërore të fortë me territorin.
Kodi Moral (Besa dhe Kanuni): konceptet si Besa (fjala e dhënë) dhe Mikpritja mbeten tipare që na dallojnë ndërkombëtarisht.
Harmonia Fetare: Identiteti kombëtar qëndron gjithmonë mbi ndasitë doktrinore. Kombi është mbi fenë.
Kulti i Familjes dhe Gjakut: Solidariteti dhe Nderi.
Figura e Skënderbeut: Ai është “Ura” që na lidh me Evropën dhe simbol i rezistencës ndaj tjetërsimit.
Simbolet Flamuri kuq e zi dhe Shqiponja dy krenare: Një simbol i lashtë që përfaqëson lirinë.
Pasuria kulturore etnografike me qytete të shpallura nën mbrojtjen e UNESCO-s, me Xhubletën, Ison labe, Kcimin e Tropojës, Lahutën, etj.
Por tradita jonë ndërtimore, siç do të trajtohet më poshtë, nuk është e kufizuar vetëm në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. Ajo shtrihet në të gjithë trevat shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe ka një vend nderi për vlerat e saj identitare si shtrat i kujtesës historike.
Cila ka qenë ecuria dhe rruga e saj drejt identitetit kaq shumë autokton? Mbi këtë arsyetim mund të themi paraprakisht:
Së pari, është Identiteti i arkitekturës vernakulare shqiptare nuk është produkt i izolimit, por rezultat i përzgjedhjes. Ndikimet nuk pranohen si shtojca. Shqiptari zgjedh atë që është në përputhje me: klimën, ekonominë, traditën, normat shoqërore, Kanunin dhe mënyrën e jetesës. Prandaj, identiteti nuk është rezultat i huazimit, por i filtrimit kulturor.
Së dyti, është Identiteti i shumëfishtë. Arkitektura vernakulare shqiptare mund të përshkruhet njëkohësisht si: ballkanike për organizimin territorial, mesdhetare për marrëdhënien me klimën, arbërore për vazhdimësinë historike, osmane në disa elemente dytësore funksionalë tipologjikë, dhe evropiane për racionalitetin konstruktiv. Bashkimi i këtyre shtresave prodhon një identitet shumë të veçantë, që mbetet thellësisht shqiptar.
Së treti është Identiteti sintezë. Vlera më e madhe e arkitekturës vernakulare shqiptare nuk qëndron në faktin se ajo përmban elemente ballkanike apo mesdhetare, por te mënyra se si i ka integruar ato në një sistem të vetin kulturor. Identiteti i saj mund të përkufizohet si një identitet sintetizues: një arkitekturë që ndërmjetëson mes Ballkanit dhe Mesdheut, duke ruajtur një vazhdimësi të fortë vendase.
Pikërisht, kjo aftësi për të bashkuar tradita të ndryshme në një gjuhë arkitektonike logjike dhe të qëndrueshme, e bën arkitekturën vernakulare shqiptare një nga shprehjet më origjinale të trashëgimisë kulturore në rajonin tonë, e ndoshta edhe në Evropë.
Identiteti i arkitekturës vernakulare shqiptare nuk është një element i vetëm, por një korpus që manifestohet në dimensione të ndryshme: teknike-arkitekturore, hapësinore, simbolike dhe juridike. Për më tepër, ai shfaqet fuqishëm si identitet përjetues-ndjesor edhe në elementin e misterit e surprizës, si pjesë e përvojës hapësinore që shpesh mbetet i nënvlerësuar, por që luan një rol të rëndësishëm në perceptimin dhe përjetimin e arkitekturës. Arkitektura vernakulare shqiptare është më shumë se një mënyrë ndërtimi. Ajo është shprehje e marrëdhënies së njeriut me territorin, traditën, familjen, ligjin zakonor, materialin ndërtimor dhe kohën. E formësuar nga kushtet natyrore, traditat dhe mënyra e jetesës, ajo nuk është thjesht një përgjigje funksionale ndaj nevojave të strehimit, por një gjuhë e pasur ku ndërthuren historia, simbolika dhe normat shoqërore. Nuk mund të ketë trashëgimi të gjallë pa individë apo grupe shoqërore bartëse të saj dhe “materializues” të kujtesës. Dhe këtu vijmë në lidhjen organike:
Kujtesë – Trashëgimi – Kulturë – Identitet
Ne kujtojmë një ngjarje apo vlerë (Kujtesë).
E veçojmë atë si një ritual apo monument ndërtimor, që duhet ruajtur (Trashëgimi).
E jetojmë në përditshmërinë tonë (Kulturë).
Kjo na bën kush jemi dhe na dallon nga të tjerët (Identitet).
Në këtë lidhje organike dallohen edhe shtresëzimet e karakterit të identitetit, që në periudha të ndryshme kohore, janë shfaqur në arkitekturën tonë vernakulare dhe sot përbëjnë thelbin e debatit për qëndrimin ndaj tij.
Identiteti i mbyllur “statik” në arkitekturën vernakulare shqiptare, nënkupton ato tipare, kode dhe vlera që ruhen për një kohë të gjatë pa ndryshime thelbësore, duke siguruar vazhdimësinë dhe dallueshmërinë e kulturës ndërtimore shqiptare.
Identiteti i Hapur është aftësia e arkitekturës vernakulare shqiptare për të ruajtur thelbin e vet duke pranuar ndikime, ide dhe zhvillime të reja.
Identiteti i Ndryshimit nënkupton që vetë ndryshimi është pjesë e identitetit. Identiteti nuk përkufizohet nga ruajtja e formave të pandryshuara, por nga aftësia për t’u transformuar vazhdimisht. Ai pranon se transformimi është vlerë themelore. Identiteti ndërtohet përmes proceseve dhe jo formave.
I pari ruan vlerat dhe kodet e arkitekturës vernakulare.
I dyti ruan aftësinë e përzgjedhjes dhe përshtatjes.
I treti ruan aftësinë për të krijuar forma të reja.
Sot e rëndësishme mbetet gjetja dhe studimi rast pas rasti i situatave kur merr përparësi njëri prej tyre. Kjo nënkupton:
Në rasin e identitetit të mbyllur apo statik, vlerësimin e situatave muzeale në arkitekturë dhe në realitetet urbane të trashëguara. Në identitetin e hapur, vlerësimin e shpirtit të vendit në rastin e projekteve arkitekturore dhe urbane, përshtatjes dhe përzgjedhjeve selektive në të renë që kërkon koha dhe në rastin e identitetit të ndryshimit, krijimin e identiteteve arkitekturore dhe urbane të reja të kohës sonë pa humbur thelbin kulturor të shpirtit shqiptar.
Përtej trashëgimisë. Identiteti arkitekturor si vazhdimësi dhe transformim
01. Kush jemi kur ndërtojmë?
Në fillim të këtij artikulli u renditën disa pyetje të cilave po përpiqemi t’u japim përgjigje në mënyrë të përmbledhur.
Identiteti si kod, jo si imazh
Identiteti arkitekturor shqiptar nuk është thjesht një stil, por është rezultat i grumbullimit dhe shndërrimit të shumë kodeve kulturore në hapësirë dhe në formë. Identiteti lidhet me dy dimensione kryesore: me vazhdimësinë ose me atë çfarë njohim dhe kemi trashëguar në kohë, dhe dallueshmërinë, çfarë na bën të veçantë ndaj të tjerëve. Për këtë, identiteti nuk është vetëm “kush jemi”, por edhe: si njihemi nga të tjerët, ku dallojmë, dhe si e ruajmë vazhdimësinë tonë në ndryshim.
Vlera në kuadrin ballkanik
Arkitektura vernakulare shqiptare zë një vend të veçantë në kuadrin e përgjithshëm ballkanik. Ajo nuk është thjesht një variant lokal i arkitekturës së rajonit, por një dëshmi e gjallë e ndërthurjes mes autoktonisë iliro-shqiptare, kushteve të ashpra gjeografike dhe ndikimeve të fuqishme kulturore.
Arkitektura vernakulare shqiptare nuk duhet parë si një periferi e modeleve të vendeve fqinje, por si një nga traditat themelore të arkitekturës popullore të rajonit ballkanik. Arkitektura vernakulare shqiptare ka dallueshmëri sepse ruan forma shumë të hershme të organizimit të banimit, paraqet një vazhdimësi të gjatë historike, dëshmon përshtatje të jashtëzakonshme me mjedisin, ruan teknika tradicionale ndërtimi, shpreh qartë identitetin kulturor shqiptar dhe përfaqëson një nga shembujt më autentikë të arkitekturës spontane të Ballkanit.
Një nga karakteristikat më të rëndësishme te arkitekturës sonë vernakulare është shumëllojshmëria tipologjike rajonale.
Arkitektura shqiptare nuk është kopje e asnjë modeli
Nëse ka një element që e dallon qartë arkitekturën vernakulare shqiptare nga fqinjët e saj ballkanikë, ajo është “Banesa Kullë” e shfaqur nga veriu deri në jug, Labëri e Ҫamëri, dhe në forma më të përpunuara në disa vendbanime qytetare.
Kulla Shqiptare si banesë, është tipologjia më unike në Ballkan. Ajo është kullë mbrojtëse, vend strehimi, simbol i fisit, qendër ekonomike, është institucion mikpritjeje dhe i jetës në përgjithësi.
Identiteti, Kodet dhe vazhdimësia kulturore
Arkitektura vernakulare shqiptare është një nga pikat më të larta të identitetit ballkanik. Ajo reflekton shpirtin e një populli që duhej të mbrohej (Kullat), por që kishte edhe një sens të jashtëzakonshëm të estetikës urbane dhe përshtatjes me natyrën si në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. Për këtë arsye, arkitektura shqiptare nuk është kopje e asnjë modeli. Ajo ka përthithur ndikime nga: tradita iliro-mesdhetare; arkitektura bizantine; kultura osmane; ndikimet veneciane dhe dalmate në zonat bregdetare. Rezultati, është një arkitekturë me identitet të vetin. Ajo merr pjesë në fondin e përbashkët kulturor ballkanik, por njëkohësisht ruan një individualitet të fuqishëm, të formuar nga vazhdimësia historike, relievi i larmishëm, organizimi fisnor e familjar dhe sistemi i veçantë i vlerave shoqërore.
Pikërisht, kjo ndërthurje e elementeve universale me ato vendore, i jep arkitekturës vernakulare shqiptare një pozitë të rëndësishme në mozaikun arkitekturor të Ballkanit dhe e bën atë një shprehje të veçantë të identitetit kulturor shqiptar.
Le të rrjeshtojmë më poshtë disa principe ose, thënë më mirë, Kode nëpërmjet të cilëve arkitektura vernakulare shqiptare bëhet e dallueshme.
Në një kuptim të thellë kulturor, esenca e kodeve të arkitekturës vernakulare shqiptare mund të shihet si një mënyrë shqiptare e të menduarit për hapësirën, bashkëjetesën dhe identitetin. Kodet përfaqësojnë vlera dhe parime që kanë formuar identitetin tonë ndër shekuj.
Kodi i lidhjes me vendin. Identiteti lind kur arkitektura duket si vazhdim organik i territorit dhe jo si element i huaj.
Kodi i vazhdimësisë kulturore, ku forma arkitekturore ruan kujtesën kolektive, traditat, mënyrën e jetesës dhe përvojën historike të bashkësisë.
Kodi i autenticitetit. Kodi i gurit, drurit dhe tokës, i vërtetësisë dhe sinqeritetit ndërtimor.
Kodi i funksionit jetësor, social dhe i marrëdhënieve të përkatësisë, ku arkitektura pasqyron mënyrën se si njerëzit jetojnë, komunikojnë dhe organizojnë jetën shoqërore.
Kodi i lexueshmërisë simbolike, kode dhe forma arkitekturore, që mbartin kuptime për bashkësinë dhe krijojnë ndjenjë përkatësie.
Kodi i logjikës kolektive në krijimtarinë arkitekturore dhe në kulturë në përgjithësi. Kolektiviteti prodhon vazhdimësi kulturore dhe identitet të përbashkët.
Kodi i kohës dhe transformimit organik. Identiteti nuk është statik, por i hapur dhe në ndryshim.
Kodi i kontrastit, harmonisë dhe përjetimit hapësinor. Vlerat identitare ndjesore zbulohen përmes përjetimit.
Kodi i Hapësirave që krijojnë bashkësi njerëzore. Oborre, veranda, oda, sheshe të vogla dhe vende takimi ku jeta sociale ndodh natyrshëm.
Kodi i dallueshmërisë. Një fakt urban apo arkitekturor ka identitet kur është i dallueshëm i njohshëm, dhe i paharrueshëm që në pamjen e parë.
Kodi i Thjeshtësisë me dinjitet. Më pak dekor i panevojshëm, më shumë qartësi, material i ndershëm dhe përmasë njerëzore.
Kodi për përdorimin inteligjent të klimës. Hijezim, ventilim natyror, orientim ndaj diellit dhe reduktim të varësisë nga energjia.
Identiteti si mënyrë të menduari
Esenca e kodeve vernakulare shqiptare nuk është “si duket shtëpia”, por “si mendon kultura shqiptare kur ndërton”.
Arkitektura vernakulare shqiptare nuk na jep një repertor formash për t’u kopjuar, por një sistem vlerash për të menduar arkitekturën shqiptare të së ardhmes. Kjo e zhvendos diskutimin nga nostalgjia drejt vazhdimësisë kulturore. Nuk pyet: Si të rikthejmë të shkuarën?, por Cilat kode të së shkuarës mund ta bëjnë arkitekturën e sotme më shqiptare?
Identiteti është para së gjithash një mënyrë të menduari, përpara se të jetë një formë e dukshme arkitekturore. Format arkitekturore dhe urbane, objektet apo simbolet janë vetëm materializime të kësaj mënyre të menduari. Identiteti vernakular shqiptar është fillimisht kulturë mendimi, dhe vetëm më pas kulturë forme. Forma arkitekturore vernakulare është gjuha përmes së cilës kjo mënyrë mendimi bëhet e dukshme në hapësirë.
Identiteti si proces
Identiteti nuk është vetëm trashëgimi; ai është një proces i vazhdueshëm krijues. Një komunitet ndërton. Pastaj përshtat. Pastaj ndryshon. Pastaj përzgjedh atë që funksionon. Pastaj e transmeton. Dhe brezi tjetër e ndryshon përsëri. Trashëgimia përbën bazën, kujtesën dhe përvojën e akumuluar të një bashkësie, por identiteti ka mbetur i gjallë sepse është interpretuar, ripërjetuar dhe rikrijuar në çdo kohë e vend. Ҫdo brez zgjedh çfarë ruan, çfarë transformon, dhe çfarë krijon rishtazi mbi bazën e kujtesës. Prandaj identitetin shqiptar ndërtohet vazhdimisht në marrëdhënien midis kujtesës dhe rijetëzimit, traditës dhe nevojave të reja, vazhdimësisë dhe transformimit.
Trashëgimia është kujtesa e identitetit, krijimi është vazhdimësia e tij. Identiteti i hapur, i kudondodhur në arkitekturën vernakulare shqiptare, është tradita që vazhdon të krijojë. Identiteti, nga populli shqiptar, nuk është projektuar si objekt, por kultivuar si proces. Nëse planifikojmë apo projektojmë, roli i këtyre veprimeve nuk është të “ngrijnë” apo ta kthejnë identitetin në një “model” por: të krijojë kushte që ndryshimi, (krijimtaria), të ndodhë pa humbur vazhdimësinë kulturore të kombit.
Flasim sot për identitetin tonë sepse ai është mënyra për të ruajtur shpirtin e një kulture gjatë ndryshimit në kohë. Ai tregon shpirtin e vendit (genius loci); kujtesën urbane, identitetin kulturor të vendbanimit; dhe rëndësinë e përjetimit njerëzor të hapësirës.
02. Kush jemi kur ndërtojmë?
Një qasje dhe mënyrë qëndrimi ndaj identitetit
Kjo pyetje, pak nga pak e ka orientuar thelbin kuptimor të qëndrimit ndaj identitetit, nga ideja e thjeshtë e “ruajtjes të së shkuarës” drejt një marrëdhënieje mes kujtesës, së tashmes dhe së ardhmes. Marrëdhënie kjo, e aplikuar historikisht nga shqiptarët.
Kush jemi kur ndërtojmë?
Kur ndërtojmë, nuk ndërtojmë vetëm një hapësirë. Ndërtojmë një mënyrë për të treguar kush kemi qenë, kush jemi dhe kush dëshirojmë të bëhemi.
Cilët kemi qenë?
Jemi trashëgimia e një kulture që ka ndërtuar me atë që kishte në dispozicion: gurin, drurin, tokën, klimën, terrenin, por edhe me rregullat, zakonet, marrëdhëniet familjare dhe shoqërore. Banesa vernakulare është dëshmi e kësaj kujtese të materializuar. Ajo nuk është vetëm një objekt i së shkuarës; është një kod i mënyrës së jetesës.
Kush jemi?
Jemi një shoqëri që jeton mes trashëgimisë dhe ndryshimit. Identiteti ynë nuk është një formë e ngrirë që duhet kopjuar, por një sistem vlerash që duhet kuptuar. Prandaj, ruajtja e identitetit nuk do të thotë të ndërtojmë sot siç ndërtohej dje, por të kuptojmë pse ndërtohej ashtu dhe cilat nga ato parime vazhdojnë të kenë kuptim për ne.
Cilët duam të jemi?
Kjo është pyetja e së ardhmes. Nëse çdo ndërtesë e re është vetëm një imitim i së kaluarës, identiteti kthehet në dekor. Nëse, përkundrazi, e ardhmja ndërtohet duke harruar të kaluarën, humbasim vazhdimësinë. Sfida është të krijojmë një identitet të hapur: një identitet që ruan thelbin, por lejon formën të ndryshojë.
Për këtë:
· Kush kemi qenë na tregon nga vijmë.
· Kush jemi na tregon çfarë kemi ruajtur.
· Cilët duam të jemi na tregon çfarë do t’u lëmë atyre që vijnë.
Dhe në arkitekturën vernakulare shqiptare kjo mund të përmblidhet në një ide themelore:
Kur ndërtojmë, ndërtojmë të ardhmen me kujtesën e së shkuarës dhe me vlerat e së tashmes. Kur ndërtojmë, e kaluara na jep kujtesën, e tashmja na jep përgjegjësinë dhe e ardhmja na jep drejtimin. Identiteti arkitekturor nuk është forma që trashëgojmë, por kodi që vazhdojmë të interpretojmë. Është ruajtje e kuptimit gjatë ndryshimit.
Arkitektura e së ardhmes nuk mund të kopjojë format e së kaluarës; por duhet të kuptojë kodet që i prodhuan ato forma. Sepse ruajtja e identitetit nuk është ruajtje e formës. Ruajtja e identitetit nuk mund të jetë ngrirje e së kaluarës, por vazhdimësi e saj përmes një arkitekture që di të ndryshojë pa harruar se nga vjen. “Kodet tona të identitetit” nuk janë forma që kopjohen, por parime që lexohen, interpretohen dhe përcillen.
Të lexojmë të kaluarën, ta përkthejmë në të tashmen dhe të krijojmë prej saj një identitet për të ardhmen. Identiteti arkitekturor, në këtë kuptim, nuk ruhet duke ndalur ndryshimin; ruhet duke bërë që ndryshimi të mos e humbasë kujtesën. Kush kemi qenë, kush jemi dhe cilët duam të jemi nuk janë tri pyetje të ndara. Ato janë, dhe kështu duhet të jenë, tri kohë të të njëjtit identitet.
Pyetja që shtrohet:
Si mund të ndërtojmë sot një arkitekturë shqiptare që nuk duket “tradicionale”, por ndihet shqiptare?
03.Kush jemi kur ndërtojmë?
Është e arsyeshme që në në këtë artikull të vëmë përballë Identitetit vernakular, Identitetin e arkitekturës Moderne në cilësitë themelore të saj.
Qëllimi nuk është të japim përfundime por vetëm të shqyrtojmë dhe të krahasojmë se si secila krijon identitet, organizon hapësirën, përdor teknologjinë dhe shpreh marrëdhënien me vendin.
Parimi themelor i krahasimit.
Si e ndërton identitetin arkitektura vernakulare dhe si e ndërton atë arkitektura moderne?
Arkitektura vernakulare e ndërton identitetin përmes vazhdimësisë në kohë, përshtatjes me kushtet natyrore, materiale, ekonomike dhe shoqërore, krijimtarisë bazuar në kujtesën kolektive dhe traditës. Ndërsa: Arkitektura moderne e ndërton identitetin përmes inovacionit, lojës me formën, përmes teknologjisë dhe individualitetit në krijimtari.
Dimensionet kryesore të krahasimit mund të jenë: Arkitektura vernakulare vepron mbështetur: tek tradita, vendi, bashkësia, kujtesa, përshtatja organike me terrenin dhe klimën, te materialet lokale dhe teknika tradicionale, zhvillimi gradual në kohë, lidhja me familjen, zakonet dhe jetën shoqërore përdorimi i teknologjisë së trashëguar dhe të provuar nga koha dhe përvoja. Mbështetet te shkalla njerëzore, familjare dhe e bashkësisë së vendbanimit, tek simbolika kolektive, ritualet shoqërore të përbashkëta, tek një identitet i ndërtuar në vazhdimësi, mbështetet tek autorësia anonime ose kolektive, krijon ndryshim gradual, përzgjedhës të akumuluar ndër vite, dhe kurdoherë është shprehje e drejtpërdrejtë e kulturës së vendit.
Arkitektura moderne vepron mbështetur: te ideja arkitekturore, autori, inovacioni, mund të jetë përshtatje ose ndërhyrje transformuese në territor, eksperimenton me materiale industriale dhe teknologji të reja, krijon formën nëpërmjet konceptimit në mënyrë të vetëdijshme nga arkitekti, organizimin hapësinor e lidh me programin, funksionin dhe idenë kompozicionale të menduar paraprakisht dhe përdor teknologji inovative në ndërtim. Shkalla dhe proporcionet fillojnë nga njerëzorja deri te shkalla monumentale dhe urbane, simbolika mund të jetë individuale, abstrakte ose në shërbim të një ideje konceptuale, koha e lidh identitetin me një vizion për të ardhmen, autori është i njohur dhe ndryshimi i shpejtë dhe i menjëhershëm, është kritike me kulturën e kohës dhe tenton një imponim dhe tejkalim të saj.
Krahasimin ndërmjet arkitekturës vernakulare dhe asaj moderne mund ta zhvillojmë në pesë fusha.
1. Identiteti arkitekturor dhe teknik
Pyetja që shtrohet është:
Si shprehet identiteti përmes formës, materialit dhe mënyrës së ndërtimit?
Në arkitekturën vernakulare: Forma lind nga nevoja, klima dhe tradita. Materiali është zakonisht i territorit. Teknika përshtatet me mundësitë lokale. Bukuria lind nga autenticiteti dhe përdorimi.
Në arkitekturën Moderne: Forma mund të lindë nga një koncept abstrakt. Materiali mund të jetë universal. Teknika është shpesh inovative. Bukuria lidhet me qartësinë, abstraksionin dhe shprehjen personale të ideve të autorit. Dhe pyetja themelore që kërkon përgjigje është:
A është identiteti produkt i materialit dhe traditës, apo produkt i idesë dhe teknologjisë?
2. Identiteti hapësinor
Pyetja që shtrohet është :
Si organizohet hapësira dhe çfarë marrëdhëniesh shoqërore shpreh ajo?
Në arkitekturën vernakulare: hapësira organizohet sipas jetës familjare. Ka hierarki të qarta midis publikes dhe privates. Elementet arkitekturorë kanë kuptime sociale. Hapësira është e lidhur me zakonet dhe ritualet e jetës së përditshme.
Në arkitekturën moderne: Organizimi bazohet në funksionin, fleksibilitetin dhe programin ndërtimor të paramenduar. Hapësira mund të jetë e hapur, fluide dhe shumë funksionale. Hierarkitë tradicionale nuk parashikohen. Hapësira mund të konceptohet si përvojë abstrakte.
Dhe pyetja themelore që kërkon përgjigje është:
A organizohet hapësira nga mënyra e jetesës, apo mënyra e jetesës përshtatet me konceptin hapësinor?
3. Identiteti juridik dhe shoqëror
Pyetja që shtrohet është:
Cilat rregulla, marrëdhënie dhe norma shoqërore prodhojnë hapësirën?
Në arkitekturën vernakulare: prona, kufiri, dera, rruga dhe oborri lidhen me norma zakonore. Ligjet vendore dhe tradita përcaktojnë marrëdhëniet hapësinore. Arkitektura është produkt i komunitetit.
Në arkitekturën moderne: Hapësira përcaktohet nga ligjet, standardet, urbanistika dhe rregulloret. Marrëdhëniet sociale rregullohen nga institucionet. Arkitektura është pjesë e një sistemi profesional dhe administrativ.
Dhe pyetja themelore që kërkon përgjigje është:
A lind forma nga kujtesa zakonore, apo nga sistemi bashkëkohor i normave dhe institucioneve?
4. Identiteti simbolik dhe kulturor
Pyetja që shtrohet është:
Çfarë kuptimesh kulturore dhe simbolike mbart forma arkitekturore?
Në arkitekturën vernakulare: Simbolika është kolektive. Vatra, pragu, oxhaku, kulla, porta dhe dritarja kanë kuptime të trashëguara. Forma është pjesë e kujtesës kulturore.
Në arkitekturën moderne: Simbolika mund të jetë individuale, konceptuale ose abstrakte. Forma mund të shprehë teknologjinë, transparencën, idetë politike dhe shoqërore, fuqinë financiare etj. Kuptimi shpesh ndërtohet përmes gjuhës personale të arkitektit.
Dhe pyetja themelore që kërkon përgjigje është:
A shpreh arkitektura një simbolikë të përbashkët, apo krijon një simbolikë të re individuale?
5. Identiteti ndjesor, misteri dhe surpriza
Pyetja që shtrohet është :
Si përjetohet hapësira nga njeriu?
Në arkitekturën vernakulare: misteri lind nga kalimet, errësira, trashësia e murit, oborret e fshehura dhe kontrasti dritë–hije. Përvoja është e lidhur me kujtesën dhe zbulimin gradual.
Në arkitekturën moderne: Surpriza krijohet përmes hapësirave të mëdha, transparencës, tensionit gjeometrik, dritës, strukturës dhe lëvizjes. Përvoja mund të jetë dramatike, abstrakte ose teknologjike.
Dhe pyetja themelore që kërkon përgjigje është:
Si krijohet emocioni arkitekturor: përmes kujtesës dhe fshehtësisë, apo përmes inovacionit dhe perceptimit të ri?
Parimi i krahasimit mbetet kurdoherë mënyra e krijimit: në arkitekturën vernakulare, forma është rezultat i një procesi kolektiv dhe të akumuluar; në arkitekturën moderne, forma është shpesh rezultat i një procesi konceptual dhe autorial.
Le të shtrojmë disa pyetje që na orientojnë dhe përgjigjet ndaj të cilave bëjnë dallimin ndërmjet Arkitekturës vernakulare dhe arkitekturës moderne:
Nga vjen forma? Kush e përcakton atë? Cili është roli i vendit? Cili është roli i materialit? Si organizohet hapësira? Çfarë marrëdhëniesh shoqërore shpreh? Çfarë simbolizon? Si përjetohet nga njeriu? Si ndryshon në kohë? Çfarë e bën autentike? Si lidhet me identitetin kolektiv? Si krijon identitet të ri?
Në mënyrë të përmbledhur:
1. Arkitektura vernakulare, për të krijuar identitet, ka në thelbin e saj: kujtesën, vendin, traditën dhe përshtatjen në kohë me normat shoqërore të bashkësisë.
2. Arkitektura moderne, për të krijuar identitet, ka në thelbin e saj: Idetë kompozicionale teorike, të renë që sjell koha, teknologjinë dhe kontekstin ndërtimor.
3. Më e rëndësishme është ajo, që Arkitektura bashkëkohore bën bashkë në procesin e krijimit: kujtesën, kontekstin ndërtimor, inovacionin dhe përvojën.
Dhe sfida për të dhënë përgjigjen e pyetjes “Kush jemi kur ndërtojmë?” është:
Si mund të krijojë arkitektura e sotme një identitet të ri, që të ruajë përkatësinë me vendin?
Kush jemi kur ndërtojmë?
Jemi kujtesa që shfaqet në formën arkitekturore.
Jemi kultura që bëhet hapësirë ubane dhe banimi.
Jemi simbolet që besojmë, iu bindemi dhe adhurojmë.
Jemi mënyra jonë e të jetuarit, e shprehur në arkitekturë.
Lini një Përgjigje