Aktualitet

Këshilli Bashkiak kërkoi pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhje, SPAK-u refuzon!

Prokuroria e Posaçme refuzoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme të orës 15:00, që të diskutohet reforma territoriale.

Këshilli bashkiak kërkonte që Veliaj të ishte i pranishëm fizikisht ose të lidhej nga burgu i Durrësit përmes videotelefonatës.

Në kërkesën e bërë publike pak ditë më parë, thuhej:

Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

• lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,

Ose, nëse kjo nuk është e mundur,

• mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Në seancën e sotme për Veliajn, nuk u paraqit asnjë avokat për shkak të bojkotit që ka pasuar rregulloren censuruese të GJKKO-së. Togat e zeza i kanë gjobitur avokatët me nga 10 mijë lekë dhe i kanë pezulluar afatet e paraburgimit kryebashkiakut të Tiranës.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.