17 të arrestuar nga mega operacioni në Britani, pla'goset një polic, zbulohen detajet

Bota

policia-britani.jpg
Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal është zhvilluar në Britani, duke çuar në arrestimin e 17 personave.

Operacioni u ndërmor nga policia britanike në bashkëpunim me Autoritetin e Sjelljes Financiare (FCA) dhe përfshiu rreth 800 efektivë policie.

Sipas Policisë Metropolitane, arrestimet u kryen gjatë kontrolleve të zhvilluara në orët e para të mëngjesit në disa ambiente në Londër, si dhe në katër qarqe të tjera: Essex, Hertfordshire, Cambridgeshire dhe Suffolk.

Të dyshuarit përballen me akuza që variojnë nga pastrimi i parave dhe falsifikimi i të dhënave kontabël deri te evazioni fiskal.

Sipas policisë, personat e arrestuar dyshohen për përfshirje në nivele të larta në aktivitete të lidhura me krimin e organizuar.

Hetimet përfshijnë dhjetëra kompani
Pas një hetimi disa-mujor, FCA ka nisur veprime ndaj shtatë kompanive, ndërsa po heton edhe 30 të tjera, bëri të ditur policia.

Hetimet dhe kontrollet në disa prona vijojnë, ndërsa sipas raportimeve të Sky News, pritet që prania policore në disa prej tyre të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

FCA e ka cilësuar operacionin e përbashkët si të rëndësishëm për goditjen e organizatave që, sipas autoritetit, përdorin sistemin financiar britanik për të pastruar para me origjinë të paligjshme.

Plagoset një polic gjatë kontrollit
Gjatë operacionit u plagos edhe një efektiv policie.

Sipas Sky News, polici u godit me thikë në këmbë ndërsa po kryente një kontroll në një banesë në zonën Cockfosters, në Barnet.

Efektivi mori ndihmën e parë në vendngjarje nga kolegët dhe ekipet e emergjencës. Më pas u transportua në spital, ku mjekët vlerësuan se plagët e tij nuk ishin kërcënuese për jetën, njoftoi policia.

Hetimet për operacionin dhe personat e arrestuar vijojnë.

ME TE LEXUARAT