Trump lajmëroi ndalimin e eksportit të naftës drejt BE-së për 90 ditë, zyrtarët evropianë optimistë për anulimin e planit: Morëm sinjale nga… Një skenë tronditëse është regjistruar live në televizion, kur një vajzë 14-vjeçare u përplas nga një makinë, ndërsa një gazetar po raportonte pikërisht nga vendi i një tjetër aksidenti tragjik.
Ngjarja ndodhi në Koscierzyna të Polonisë, ku vajza po lëvizte me skuter elektrik në rrugë. Në pamjet e transmetuara drejtpërdrejt, automjeti e godet me forcë, e përplas në xhamin e përparmë dhe më pas e hedh disa metra larg.
Kameramani vijoi të filmonte, ndërsa makina u largua me shpejtësi në një rrugë dytësore.
Gazetari i TVP, Milosz Sieliwonczyk, po raportonte për një tjetër aksident të rëndë kur dëgjoi goditjen.
“Papritur dëgjova një përplasje pas meje dhe britmën e operatorit: ‘O Zot!’ Kur u ktheva, pashë një makinë që po largohej me xhamin e përparmë të thyer dhe një fëmijë të shtrirë në rrugë”, tregoi gazetari.
Ai i kërkoi kameramanit të vazhdonte filmimin dhe të fokusonte targën e automjetit, në mënyrë që pamjet t’u dorëzoheshin policisë.
Gazetari dhe operatori iu afruan menjëherë vajzës. Ajo nuk ishte në gjendje të ngrihej në këmbë dhe në skuterin e saj kishte njolla gjaku. Shërbimet e emergjencës u telefonuan menjëherë dhe mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash.
14-vjeçarja kërkoi të telefononte nënën e saj, e cila mbërriti pak më vonë. Vajza u transportua në spital për kontrolle dhe, sipas raportimeve, nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Ironikisht, shoferi i përfshirë në përplasjen u kthye në vendngjarje disa minuta më vonë. Sipas gazetarit, ai doli nga makina dhe pyeti nëse kishte ndodhur diçka.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Gazetari ndodhej në atë zonë për të raportuar për vdekjen tragjike të një fëmije 3-vjeçar, i cili ishte përplasur nga një makinë.
Fëmija u nxor nga poshtë automjetit nga prindërit e tij dhe iu nënshtrua përpjekjeve të gjata për reanimim fillimisht nga zjarrfikësit dhe më pas nga ekipet mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve, ai ndërroi jetë nga plagët e marra.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm disa ditë pas një tjetër aksidenti tragjik në Poloni, ku humbi jetën futbollisti Oskar Kordus, 20 vjeç. Automjeti i tij u përplas me një dre që, pasi u godit nga një makinë që vinte në drejtim të kundërt, përfundoi në korsinë e tij dhe hyri përmes xhamit të përparmë të BMW-së.
Makina e Kordus doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 20-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.
Top Channel