Një transmetim televiziv në Poloni u ndërpre nga një aksident i rëndë, kur një automjet përplasi një vajzë 14-vjeçare. Në atë çast, gazetari po raportonte nga vendi ku kishte ndodhur një aksident tjetër tragjik.
Të lidhura
None found
Përplasja ndodhi në Koscierzyna, ndërsa vajza po udhëtonte me skuter elektrik. Pamjet live tregojnë makinën që e godet, e përplas mbi xhamin e përparmë dhe më pas e hedh disa metra larg.
Kameramani vazhdoi xhirimet teksa automjeti u largua me shpejtësi në një rrugë dytësore.
Gazetari i TVP-së, Milosz Sieliwonczyk, po mbulonte një aksident tjetër të rëndë kur dëgjoi përplasjen.
“Papritur dëgjova një goditje pas meje dhe operatorin që bërtiti: ‘O Zot!’ Kur u ktheva, pashë një makinë që po largohej me xhamin e përparmë të thyer dhe një fëmijë të shtrirë në rrugë”, tha ai.
Gazetari i kërkoi operatorit të vazhdonte filmimin dhe të kapte targën e makinës, që pamjet të mund t’i dorëzoheshin policisë.
Të dy iu afruan menjëherë vajzës. Ajo nuk mund të ngrihej, ndërsa skuteri kishte njolla gjaku. Shërbimet e emergjencës u njoftuan pa vonesë dhe mbërritën brenda pak minutash.
Vajza kërkoi të telefononte nënën e saj, e cila mbërriti pak më vonë. Ajo u dërgua në spital për kontrolle dhe, sipas raportimeve, nuk kishte marrë lëndime të rënda.
Disa minuta pas aksidentit, shoferi u kthye në vendngjarje. Sipas gazetarit, ai zbriti nga makina dhe pyeti nëse kishte ndodhur diçka.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e përplasjes.
Gazetari ishte në atë zonë për të raportuar për aksidentin ku humbi jetën një fëmijë 3-vjeçar, pasi u godit nga një makinë.
Prindërit e nxorën fëmijën nga poshtë automjetit. Zjarrfikësit dhe më pas ekipet mjekësore u përpoqën për një kohë të gjatë ta reanimonin, por ai ndërroi jetë nga plagët.
Vetëm pak ditë më parë, një tjetër aksident tragjik në Poloni i mori jetën futbollistit 20-vjeçar Oskar Kordus. Makina e tij u përplas me një dre, i cili fillimisht ishte goditur nga një automjet që vinte në kahun e kundërt. Kafsha përfundoi në korsinë e Kordusit dhe hyri përmes xhamit të përparmë të BMW-së.
Automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, 20-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.
