Italia ka tërhequr menjëherë nga tregu konserva açugesh që kishte importuar nga Shqipëria pasi kanë rezultuar me nivel histamine dyfish më të lartë mbi normën e lejuar.

Sipas njoftimit të 22 shtatorit në RASFF, analiza e mostrave rezultoi me 800 mg/kg histaminë nga 400 mg/kg që është kufiri.

Açuget ishin importuar në Shqipëri, më pas përpunuar dhe eksportuar drejt Italisë nga kompania “Poseidon.”

Histamina mund të shkaktojë helmim ushqimor dhe nuk zhduket as nga gatimi apo konservimi. Ajo buron nga zbërthimi i aminoacidit histidinë nga bakteret që ndodh kur produkti nuk ruhet në temperaturat nën 4 gradë Celsius.

Nëse histamina merret në sasi të mëdha, ajo shkakton një reaksion anafilaktoid me një sërë simptomash, nga ato të moderuara dhe të rënda deri tek ato që mund të jenë kërcënuese për jetën.

Simptomat mund të shfaqen në lëkurë me skuqje, urtikarie e ënjtje, mund të përfshijnë të përziera, të vjella, diarre, ngërçe, luhatje të tensionit, takikardi, shho, dhimbje koke apo vështirësi në frymëmarrje.