Administrata e presidentit amerikan Donald Trump hapi këtë vit rrugën për importimin e arit nga Venezuela, por një pjesë e sasive të sjella në Shtetet e Bashkuara vazhdon të mbetet e papërpunuar, pasi rafineritë nuk duan të marrin përsipër rrezikun e origjinës së tij.
Sipas një investigimi të New York Times, në fillim të marsit 10 shufra ari venezuelas u sollën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa po atë ditë administrata amerikane miratoi një politikë të re që lejonte tregtarët të importonin ar nga Venezuela.
Furnizimet e para do të vinin nga kompania shtetërore minerare Minerven, e cila vijonte të konsiderohej nga Shtetet e Bashkuara një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Marrëveshja shënoi një kthesë në politikën amerikane. Trump e kishte futur më parë arin venezuelas në listën e zezë, duke argumentuar se industria dëmtonte mjedisin, helmonte njerëzit dhe financonte grupe kriminale e zyrtarë të korruptuar.
Administrata argumenton se shitja e arit do të ndihmojë ekonominë amerikane, zhvillimin e sektorit minerar të Venezuelës dhe do t’u heqë të ardhurat kriminelëve dhe zyrtarëve të korruptuar. Por investigimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po zbatohet kjo strategji.
Ari nisi të eksportohej përpara se kompanitë apo auditorët e pavarur të kishin vizituar minierat. Trafigura, një nga kompanitë më të mëdha globale të tregtimit të mallrave, mori të drejtën për të blerë dhe eksportuar ar nga disa miniera industriale venezuelase.
Vetëm në dërgesën e parë, sipas sekretarit amerikan të Brendshëm Doug Burgum, në SHBA u transportua fizikisht ar me vlerë 100 milionë dollarë.
Problemi qëndron te origjina e arit. Në zonën minerare El Callao, pronarë minierash dhe punonjës i thanë gazetës se një pjesë e prodhuesve paguajnë para për “mbrojtje” ndaj bandës Tren de Guayana. Një drejtues grupi minerar deklaroi se 20% e arit të ekipit të tij i kalonte bandës.
Kjo e bën të vështirë certifikimin e arit sipas standardeve ndërkombëtare. Rafineritë duhet të garantojnë se ai nuk ka financuar organizata kriminale, korrupsion apo shkatërrim mjedisor.
Rezultati është se ar me vlerë qindra milionë dollarë vazhdon të qëndrojë në magazina, sipas tre personave me dijeni për dërgesat. Gjashtë muaj pasi Trafigura nisi importet, kompania ende nuk kishte arritur ta rishiste atë.
Shtëpia e Bardhë mbron strategjinë, duke thënë se kompanitë perëndimore po ndihmojnë në pastrimin dhe legjitimimin e industrisë minerare venezuelase.
Megjithatë, investigimi tregon se sfida kryesore mbetet pikërisht ajo që rafineritë duhet të provojnë: sa i pastër është zinxhiri që e çon arin nga minierat e Venezuelës në tregun amerikan.
Lini një Përgjigje