Dje policia njoftoi arrestimin e dy të rinjve që kishin tentuar të mashtronin kreun e FSHF, Armand Duka për t’i marrë 100 mijë euro duke u prezantuar si Taulant Balla.
Të arrestuarit Orest Balla dhe Edison Korra kanë dhënë dëshmitë e tyre në polici, por janë vënë re kontradikta tek pretendimet e tyre lidhur me ngjarjen.
Orest Balla ka deklaruar se gjithçka kishte nisur pasi një person i kishte shkruar në Instagram duke i premtuar 2 mijë euro nëse komunikonte me një person tjetër. Personi në fjalë i kishte shkuar për ta takuar me makinë dhe i kishte dhënë numrin e telefonit të djalit të Armand Dukës. 24 vjeçari tha se të arrestuarin tjetër Edison Korra nuk e njihte më parë.
Por ky i fundit ka dhënë një version krejt ndryshe. Edison Korra ka pretenduar se Balla e kishte kontaktuar në një lokal duke i kërkuar të merrte një porosi.
Por hetimet e deritanishme kanë zbuluar se vetë Orest Balla nuk kishte komunikuar me Armand Dukën nëpërmjet aplikacionit “Signal”.
Deri më tani ka dyshime se dy të rinjtë e arrestuar mund të jenë pjesë të grupit të të shumëkërkuarit Florian Gjergji i cili njihet për mashtrimet e biznesmenëve duke u marrë shuma të majme teksa prezantohej si socialisti Taulant Balla apo i afërm i biznesmenëve të njohur. Versus.al

