Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Sokol Zaimi, ka reaguar pas një kronike të transmetuar në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, duke e cilësuar atë si disinformuese dhe duke pretenduar se deklaratat e tij janë shkëputur nga konteksti.
Zaimi sqaron se më 22 shtator ka pritur në zyrën e tij Rudina Demnerin, e njohur si Paloma, e cila sipas tij ishte interesuar për mundësinë e punësimit të një personi të afërm. Në takim, sipas Kryeinspektorit, ka qenë e pranishme edhe Drejtoresha e Burimeve Njerëzore e ISHTI.
Ai thotë se Demneri është informuar se institucioni ka nevoja kryesisht për inxhinierë elektrikë dhe se çdo kandidat duhet t'i nënshtrohet procedurave ligjore dhe kritereve të përcaktuara për punësim.
Zaimi ndalet edhe te pjesa e bisedës që lidhet me Belinda Ballukun, duke pretenduar se tema është hapur nga vetë Demneri dhe se deklarata e tij e transmetuar në kronikë është shkëputur nga konteksti.
Reagimi i plotë i Zaimit:
Ndoqa me shqetësim kronikën disinformuese të transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel.
Sqaroj se, në datën 22 shtator, në prani edhe të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit, kam pritur në takim Rudina Demneri, e njohur për publikun si Paloma, e cila është interesuar për punësimin e një personi të saj të afërm. E kam informuar qartësisht, në prezencë të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit ritheksoj, se nevojat e institucionit janë kryesisht për inxhinierë elektrikë dhe se çdo person i interesuar për punësim duhet të ndjekë një procedurë ligjore, sipas hapave dhe kritereve të përcaktuara.
Biseda rreth Znj. Balluku u provokua qëllimisht nga Demneri, e cila ju referua si mikeshë të mirë, të cilën e takon shpesh dhe për të cilën gëzon vlerësim. Fjalia ime e përfshirë në kronikë është shkëputur qëllimisht nga konteksti i bisedës dhe është paraqitur në një mënyrë që deformon kuptimin e asaj që kam thënë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e bërë nga znj. Demneri për punësim dhe as me ndonjë proces tjetër institucional.
Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: Unë besoj se znj.Balluku, në përfundim të betejës së saj ligjore, do të dalë e pafajshme, pasi, për aq sa e kam njohur në marrëdhëniet tona të punës, ajo ka qenë e drejtë dhe korrekte. Ky është një qëndrim imi personal dhe nuk ka lidhje me detyrën apo pozicionin tim institucional.
Edhe referimi im ndaj znj. Balluku me fjalën “shefe” është pjesë e respektit personal që unë kam për të dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me pozicionin tim aktual si drejtues i ISHTI.
Është e papranueshme që fjalët e mia të priten, të përzgjidhen dhe të vendosen në një kontekst të ndryshëm nga ai në të cilin janë thënë, duke i dhënë publikut një mesazh që unë nuk e kam thënë dhe nuk e kam nënkuptuar.
Prerjet dhe përzgjedhjet e fjalëve jashtë kontekstit janë të qëllimshme dhe, sipas vlerësimit tim, janë pjesë e një sulmi të koordinuar të televizionit Top Channel ndaj meje. Arsyet e këtij sulmi nuk i di dhe nuk i vlerësoj dot, por një gjë është e qartë: Nuk do të lejoj që fjalët e mia të deformohen dhe të përdoren për të krijuar një realitet të rremë para opinionit publik.
Ndaj, i bëj thirrje Top Channel të transmetojë videon e plotë të regjistruar në menyrë të fshehtë nga Demneri. Trishtim tek sheh se si televizioni dikur më i ndjekur nga shqiptarët, është shndërruar në një gjobëvënës. Versus.al

