“Europa të zgjedhë paqen”, nga Franca, Leoni XIV bën thirrje për pajtim, dialog dhe mbrojtjen e emigrantëve Një ish-infermier është dënuar me shtatë vite burg pasi u shpall fajtor për një sulm seksual ndaj një pacienteje, ndërsa ajo ndodhej nën kujdesin e tij në një spital të NHS-së, Angli.
Ernest Paul Cruz e sulmoi seksualisht gruan në një dhomë të Royal Bournemouth Hospital në korrik të vitit 2023, pasi ajo ishte paraqitur në urgjencë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Pas një procesi gjyqësor në Bournemouth Crown Court, 38-vjeçari u shpall fajtor për sulm seksual dhe sulm përmes penetrimit.
Në seancën e zhvilluar të hënën në të njëjtën gjykatë, ish-infermierit iu dha dënimi prej shtatë vitesh burgim. Ai gjithashtu u regjistrua si autor i veprave seksuale dhe iu vendos një urdhër për parandalimin e dëmit seksual, si dhe një urdhër ndalimi pa afat për t’iu afruar viktimës.
Sipas policisë së Dorset, gruaja, e cila është në të 30-at, ishte dërguar në spital në korrik të vitit 2023 për trajtim pasi ishte ndier keq.
Fillimisht ajo u dërgua në urgjencë dhe më pas u transferua në një dhomë tjetër, ku mbeti vetëm me Cruz.
Sipas hetuesve, infermieri i tha se duhej të ndërronte rrobat dhe e ndihmoi të zhvishej. Në atë moment, ai filloi ta prekte në mënyrë të papërshtatshme dhe më pas e sulmoi seksualisht.
Gruaja e raportoi ngjarjen të nesërmen te një infermiere tjetër. Policia u njoftua dhe Cruz u arrestua po atë ditë.
Viktima dha dëshmi gjatë procesit gjyqësor.
Detektivi Jordan Hopkins, nga Policia e Dorset, vlerësoi guximin e saj për të denoncuar ngjarjen dhe për të dëshmuar në gjykatë.
“Ajo ka treguar një guxim të jashtëzakonshëm”, tha Hopkins, duke shtuar se shpreson që shembulli i saj të inkurajojë edhe viktima të tjera të veprave seksuale të dalin përpara.
Ishte punësuar në urgjencë që prej vitit 2021
Cruz kishte punuar në departamentin e urgjencës së spitalit që nga viti 2021, deri në pezullimin e tij në vitin 2023. Më pas ai u pushua nga puna.
Sarah Herbert, drejtoresha e infermierisë në University Hospitals Dorset NHS Foundation Trust, kërkoi falje ndaj viktimës dhe familjes së saj për sulmin që ndodhi ndërsa gruaja ishte nën kujdesin e institucionit.
Ajo tha se politika e spitalit për praninë e një personi të dytë gjatë procedurave me pacientët është forcuar, me qëllim garantimin e mbrojtjes së duhur për të gjithë pacientët.
Top Channel