Lajme

“Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi”/ WSJ: Kimberly Guilfoil kërcënoi qeverinë greke për gazin

“Qeveri të bukur keni këtu. Do të ishte gjynah nëse do t’i ndodhte diçka”. Në thelb, kjo është ajo që ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, thuhet se i ka thënë një ministri të qeverisë greke, sipas një raporti të ri dhe tronditës të Wall Street Journal mbi aktivitetet e saj të fundit.

Artikulli i WSJ rrëfen një diskutim gjatë një darke ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë; në një moment, biseda kaloi te rënia e fundit e qeverisë rumune. Një person që mori pjesë në darkë, si dhe të tjerë të informuar mbi atë shkëmbim fjalësh, i thanë WSJ-së se Guilfoyle kishte komentuar: “Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu.”

Thuhet se ky koment çoi në një debat të tensionuar me ministrin grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, i cili u përgjigj se SHBA-ja nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e Greqisë, e cila ishte zgjedhur nga votuesit.

Raporti nxiti reagime në Bukuresht, ku drejtuesit e dy partive që përfundimisht votuan për shkarkimin e qeverisë Bolojan – Sorin Grindeanu i Socialdemokratëve (PSD) dhe George Simion i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR) – hodhën poshtë çdo pretendim për përfshirje të SHBA-së.

Guilfoyle ka qenë një mbështetëse e fortë e projektit të Korridorit Vertikal të Gazit në rajon, përfshirë zgjerimin e tij drejt Rumanisë. G4Media.ro ka raportuar se kryeministri Ilie Bolojan nuk iu përgjigj kërkesave të konsorciumit amerikano-grek, të përfshirë në Korridorin Vertikal të Gazit, për të blerë gaz amerikan me çmime mbi nivelet e tregut.

Avokati i ambasadores, nga ana e tij, i ka hedhur poshtë akuzat dhe mënyrën se si është përcjellë biseda në artikullin e WSJ.

Korridori Vertikal i Gazit është një iniciativë strategjike energjetike që synon furnizimin e Europës me gaz amerikan dhe lidhjen e sistemeve të transportit të gazit natyror në një aks Veri-Jug, nga terminalet e Greqisë e deri në Evropën Qendrore dhe Ukrainë.

Pjesë e këtij projekti u bë dhe Shqipëria, e cila pritet të blejë 6 miliardë dollarë gaz nga një konsorcium greko-amerikan duke filluar nga viti 2030.

©Shqip.com