Një studim i ri ka arritur në përfundimin se ekspozimi i zgjatur ndaj ekraneve mund të ketë pasoja te fëmijët që, për nga ndikimi, janë të krahasueshme ose edhe më të mëdha se ato të rritjes në kushte varfërie.
Të lidhura
None found
Analiza, e cila përfshiu më shumë se 2.8 milionë fëmijë, e lidhi përdorimin e lartë të ekraneve me rezultate më të dobëta shkollore, zhvillim më të kufizuar të gjuhës dhe shtim të problemeve emocionale e të sjelljes.
Sipas studiuesve, forca e këtyre lidhjeve ishte “e ngjashme në përmasë ose më e madhe” me ndikimin e faktorëve të tjerë të njohur në zhvillimin e fëmijëve, përfshirë statusin socio-ekonomik, sjelljen prindërore dhe lindjen e parakohshme, raporton “The Telegraph”, transmeton Klankosova.tv.
Hulumtimi u drejtua nga akademikë të Universitetit të Calgaryt në Kanada dhe përfshiu të dhëna nga 64 shtete. Në të u shqyrtua koha e kaluar në lojëra, rrjete sociale dhe platforma transmetimi.
Studimi u botua në revistën “JAMA Pediatrics” dhe përmblodhi 23 rishikime të mëparshme statistikore përmes një “sinteze të rishikimeve”, me synimin për të krijuar një pasqyrë të përgjithshme nga një bazë e gjerë të dhënash.
Fëmijët që përdornin më shumë ekranet shfaqnin arritje më të ulëta akademike në përgjithësi dhe zhvillim më të dobët gjuhësor. Tek ta u vunë re gjithashtu vështirësi në krijimin e miqësive dhe në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët.
Koha e shtuar para ekranit u shoqërua edhe me më shumë simptoma ankthi e depresioni, si dhe me sjellje agresive dhe shenja të çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet.
Autorët shkruan se ekspozimi më i madh ndaj ekraneve lidhej me rezultate më të dobëta në arritjet akademike dhe zhvillimin gjuhësor, si edhe me nivele më të larta të sjelljeve internalizuese dhe eksternalizuese, problemeve emocionale dhe vështirësive me bashkëmoshatarët.
Ata shtuan se madhësia e këtyre efekteve ishte e përafërt ose më e lartë se ajo e faktorëve të tjerë të dokumentuar, si statusi socio-ekonomik, sjellja e prindërve dhe lindja e parakohshme.
Megjithatë, studiuesit theksuan se kjo ishte një krahasim i fuqisë së lidhjeve të evidentuara në studime dhe jo një provë e drejtpërdrejtë se ekranet shkaktojnë më shumë dëme sesa varfëria. Për këtë arsye, gjetjet nuk dëshmojnë se përdorimi i ekraneve është shkaku i vetëm i problemeve të vërejtura.
Fëmijët që po përballen me vështirësi mund të kërkojnë më shpesh argëtim ose izolim përmes ekraneve. Në të njëjtën kohë, rrethanat familjare mund të ndikojnë si në zakonet digjitale, ashtu edhe në mirëqenien e tyre.
Rishikimi nuk identifikoi pasoja negative në çdo fushë të zhvillimit. Edhe pse përdorimi i ekraneve u lidh me arritje më të ulëta akademike në përgjithësi, nuk u gjetën lidhje të qarta me rezultatet e veçanta në matematikë, lexim ose shkencë.
Sipas autorëve, këto fusha ishin ndër më pak të analizuara, ndaj mungesa e një lidhjeje të qartë mund të lidhet me numrin e pamjaftueshëm të të dhënave.
Përfundimi i tyre ishte se ekspozimi më i gjatë ndaj mediave digjitale dhe rrjeteve sociale shoqërohej me vështirësi në disa aspekte të zhvillimit dhe shëndetit mendor, por jo në të gjitha fushat.
“Kur merren së bashku, gjetjet lënë të kuptohet se përdorimi i ekraneve mund të përfaqësojë një faktor potencialisht të modifikueshëm që lidhet me mirëqenien e fëmijëve në disa fusha”, deklaruan studiuesit.
Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se marrëdhënia mund të jetë dykahëshe. Përdorimi i shtuar i ekraneve mund të ndikojë në shfaqjen e problemeve emocionale dhe të sjelljes, ndërsa fëmijët që i kanë këto vështirësi mund të kalojnë më pas më shumë kohë para ekranit.
Një rishikim i botuar vitin e kaluar në “Psychological Bulletin” shqyrtoi 117 studime me mbi 292 mijë fëmijë dhe ndoqi në kohë lidhjen mes përdorimit të ekraneve dhe problemeve emocionale e të sjelljes.
Ky rishikim tregoi se përdorimi më i madh i ekraneve shpesh i paraprinte shfaqjes së problemeve, ndërsa fëmijët që tashmë përjetonin vështirësi më vonë kalonin më shumë kohë para ekraneve. /Klankosova.tv
