Shpërthim i fuqishëm në një karburant në Sarandë, dy persona të plagosur rëndë
Një shpërthim i fortë ka ndodhur mesditën e sotme në një pikë karburanti në rrugën “Skënderbeu”, në Sarandë. Shpërthimi ka shkaktuar panik në zonën përreth, ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas burimeve nga bluzat e bardha, Fatmir Pema, 39 vjeç, ka pësuar djegie në trup, ndërsa Florian Bica, 27 vjeç, është dërguar në spital pas tronditjeve të shkaktuara nga shpërthimi.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për të garantuar sigurinë.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e shpërthimit, ndërsa pritet të dalin të dhëna të tjera në vijim lidhur me ngjarjen dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve.




