Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, pasi një 16-vjeçar shqiptar humbi jetën tragjikisht pas një dëmtimi të rëndë që mori në kokë gjatë një ndeshjeje.
I mituri shqiptar Asllan Gjana, doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Futbollistit iu dha menjëherë ndihma e parë nga mjeku, por për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.
16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Ndërkohë Klubi Byronas Kavala reagoi me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të futbollistit të tij:
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj. Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, thuhet në reagimin e klubit.

