Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore, Muzeu i Fierit kthehet në hapësirë promovimi të traditave dhe vlerave

29/09/2026 13:09

Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu i Fierit u kthye në një hapësirë promovimi të traditave dhe vlerave të trashëgimisë myzeqare.

Në fokus të aktivitetit ishin vallet tradicionale të Myzeqesë, me veçanti vallen dyshe të burrave, një nga format më karakteristike dhe origjinale të kësaj treve.

E shtrirë kryesisht në zonat e Fierit, Lushnjës dhe Beratit, kjo valle mbart elemente të jetës, punës dhe karakterit të banorëve të Myzeqesë. Me lëvizje dinamike dhe karakter burrëror e luftarak, ajo lidhet ngushtë edhe me veprimtarinë bujqësore dhe marrëdhënien e banorit me tokën.

Një rol të rëndësishëm në studimin, përpunimin dhe promovimin e kësaj valleje ka pasur koreografi i njohur Vlash Kallamata, i cili e përfshiu atë në repertorin e Ansamblit “Myzeqeja” të Fierit.

Aktiviteti kishte në fokus edhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezi i ri. Krahas valleve, u prezantuan kostumet tradicionale dhe elementë të tjerë etnografikë të Myzeqesë.

Në një kohë kur traditat përballen me rrezikun e harrimit, përfshirja e të rinjve shihet si një nga mënyrat për t’i mbajtur gjallë këto vlera dhe për t’i përcjellë ato te brezat e ardhshëm.

Top Channel