Erdhi momenti dhe për Olivier Giroud: Ky mund të jetë sezoni im i fundit si futbollist

29/09/2026 13:18

Nëse nuk do të ndryshojë mendje, Olivier Giroud do t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur në fund të këtij sezoni. Ishte vetë sulmuesi i Lille që e deklaroi këtë gjatë një interviste për L’Equipe.

Ish sulmuesi i Milanit që këtë të mërkurë do të kalojë 40 vitet e jetës së tij deklaroi se sezoni aktual mund të jetë i fundit për të në futbollin e luajtur.

‘Do të mund të jap intervistë për ‘L’Equipe’ edhe vitin e ardhshëm, me shumë kënaqësi, por si futbollist, mendoj se me shumë mundësi ky të jetë sezoni im i fundit-tha Giroud-për këtë arsye po shijoj çdo moment’.

Olivier Giroud e nisi karrierën e tij si futbollist profesionist në 2006, në Ligue 2 me Grenoble për t’u transferuar më vonë në Angli, te Arsenali ku qëndroi për 5 sezone e gjysmë si dhe te Chelsea ku u aktivizua për 2 sezone e gjysmë.

Në korrik të 2024, Giroud i dha lamtumirën skuadrës kombëtare franceze pas 137 ndeshjeve të zhvilluara dhe 57 golave të shënuar. Në karrierën e tij ndër të tjerat ai ka fituar titullin në Serie A me Milanin në 2022 përpara se të transferohej në MLS te skuadra e Los Angeles FC me të cilën fitoi Kupën e SHBA në 2024. Olivier Giroud ka një palmares shumë të pasur ku spikasin titulli i Ligue 1 me Montpellier në vitin 2012, katër Kupa të Anglisë (2014, 2015, 2017 dhe 2018), një Europa League (2019) dhe një Ligë Kampionesh (2021). Në sezonin aktual, skuadra e tij Lille, pas 5 javësh pozicionohet në vendin e katërt me 10 pikë po aq sa edhe Rennes.

Top Channel