“Paraardhësi im numërohej si turist”, Rama në Bruksel: Ishim Koreja e Veriut e Evropës, por tani synojmë botën
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po merr pjesë në Samitin për Turizmin.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rritja e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik, duke theksuar se vendi po përpiqet të ndryshojë imazhin e krijuar ndër vite dhe të shfaqë potencialet e tij përtej stereotipeve.
Sipas Ramës, Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion me një fluks gjithnjë e më të larmishëm turistësh nga e gjithë bota.
-Pse duhet që dikush të vizitojë Shqipërinë?
Rama: Sepse të gjithë po e vizitojnë Shqipërinë… nëse nuk viziton Shqipërinë atëherë je një nga të paktët që nuk e viziton Shqipërinë. Jemi në një situatë ndryshe. Tashmë mund t’i tregojmë botës se cilët jemi në të vërtetë përtej steriotipeve që na kanë ndjekur për një kohë të veçantë.
Të tjerët kanë nisur kohë më parë, vijmë nga histori krejt të ndryshme. Kur Kroacia ishte destinacion për shumë evropianë, ne ishim të izoluar, ishim Koreja e Veriut e Evropës. Pasi dolëm nga ai ferr u përballëm me stereotipe shumë shqetësuese. Tashmë ka ardhur radha jonë. Synimi ynë është bota. Ka një plan, ne po punojmë në bazë të një plani. Ajo që kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që në fund të fundit për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten.
Ne kemi ushqim jashtëzakonisht të shijshëm, njerëz shumë mikpritës dhe një hapësirë mjaft të vogël brenda atij perimetrit tonë kemi dy dete, 9 lumenj, të gjitha llojet e maleve. Ndaj ka kaq shumë larmi sa që brenda një jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra. Objektivi ynë është bota, sepse po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues numëronim 2 milionë turistë. Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Ndaj 2 milionë përfshi edhe shqiptarë që hynin dhe dilnin nga kufiri. Vitin e kaluar përfunduam me 12 mln të huaj, mes tyre japonezë, amerikanë, kinezë, izraelitë, etj…është një turmë shumë e larmishme.
Pjesëmarrja e Kryeministrit në këtë samit është një mundësi për të sjellë në vëmendje Shqipërinë si destinacion turistik në zhvillim dhe për të shkëmbyer përvoja mbi investimet, infrastrukturën si dhe mikpritjen e vendit tonë.




