"Ndryshim i papritur nga tetori… " çfarë do të ndodhë me çmimet e 160 produkteve?

Aktualitet

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë një konference për shtyp me gazetarët për treguesit e ekonomisë për muajt janar-gusht, bëri të ditur nga fillimi i muajit tetor do të jetë publike një platformë online që do të pasqyrojë çmimet e rreth 160 produkteve ushqimore dhe të higjienës.

Sipas Ibrahimajt, platforma do të shërbejë si një pasqyrë e çmimeve për konsumatorin, duke mundësuar ndjekjen e ecurisë së çmimeve të produkteve të përfshira në listë.

Por kjo nuk është e vetmja masë që po përgatitet për çmimet. Ministrja tha se po punohet edhe me importuesit, prodhuesit dhe rrjetet e marketeve për hartimin e një liste produktesh që do të tregtohen për një periudhë tre mujore me çmime fikse.

“Jemi duke punuar me importuesit, prodhuesit dhe marketet për një listë produktesh që do të tregtohen për 3 muaj me çmime fikse”, është shprehur Ibrahimaj.
Të dyja nismat, platforma live e çmimeve dhe lista e produkteve me çmime fikse, pritet të bëhen publike në fillim të tetorit.

Masa vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur transparencën mbi çmimet dhe për t’u dhënë konsumatorëve më shumë informacion mbi koston e produkteve bazë.

Ibrahimaj: Investimet e huaja direkte arrijnë 1,1 mld euro mbi 50% më shumë se një vit më parë

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë një konference për shtyp për të dhënat ekonomike të periudhës janar-gusht 2026 deklaroi se sinjalet për pjesën e mbetur të vitit vijojnë të jenë pozitive, ndërsa rritja e investimeve është shoqëruar me ecuri të mirë në turizëm, shërbime, pasuri të paluajtshme dhe teknologjinë e informacionit.

Ibrahimaj tha se investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në 1.14 mld euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, me një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ministres Ibrahimaj, një pjesë e rëndësishme e ecurisë pozitive të ekonomisë për 8- mujorin është lidhur me transportin dhe akomodimin, sektorë të ndikuar drejtpërdrejt nga rritja e turizmit.

Një tjetër sektor ku është vërejtur rritje është pasuria e paluajtshme, ku kërkesa vijon të ndikohet nga zhvillimi i turizmit sipas ministres së Ekonomisë

Ecuri pozitive është raportuar edhe në arsim dhe shëndetësi, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, duke reflektuar rritjen e investimeve në këto fusha.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, industria përpunuese vendase ka pasur rritje, ndërsa industria në tërësi ka shënuar një rritje më të moderuar, rreth 0.46%.

Ecuri negative është regjistruar në grupin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Brenda këtij grupi, megjithatë, bujqësia ka shënuar një rritje nominale prej rreth 2%, e cila, sipas Ibrahimajt, reflektohet edhe në ecurinë e eksporteve bujqësore.

Struktura e ekonomisë vijon të dominohet nga shërbimet, të cilat zënë rreth 41.7% të aktivitetit ekonomik. Ndërkohë, është rritur edhe pesha e bujqësisë, ndërtimit dhe industrisë.

Nga ana e shpenzimeve, një nga kontribuesit kryesorë ka qenë konsumi i familjeve, i cili është rritur me mbi 4%. Konsumi i administratës publike ka shënuar gjithashtu rritje.

Këto zhvillime kanë mbështetur kërkesën e brendshme dhe aktivitetin ekonomik gjatë 8 mujorit.
Në 8-mujorin e parë të vitit, eksportet e mallrave dhe shërbimeve arritën në rreth 3.7 miliardë euro, me një rritje prej 9.7%.

Peshën kryesore në këtë vlerë e kanë eksportet e shërbimeve, të cilat arritën në rreth 2.4 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave mbeten në një nivel më të ulët.

Sipas ministres, komponentët kryesorë të ekonomisë kanë pasur një ecuri pozitive, duke dhënë sinjale për një vijim të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik edhe në pjesën e dytë të vitit.

ME TE LEXUARAT