Për të shkuar nga Tirana e Durrësi për në aeroport apo anasjelltas... pasagjerët që do të marrin trenin për të udhëtuar do të kenë një stacion në Rinas. Pas përfundimit të shqyrtimit të një ankese nga një kompani pjesë e garës që kishte çuar në pezullimin e procedurës, Hekurudha Shqiptare ka shpallur kompaninë fituese.
Me vlerën e 81 milionë lekë, kompania e përzgjedhur do të bëjë projektimin e detajuar dhe ndërtimin e godinës së stacionit hekurudhor të Aeroportit të Rinasit.
Stacioni i Rinasit është pjesë e projektit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës –Aeroporti i Rinasit. Krahas godinës, projekti parashikon përmirësimin e aksesit në platformat e pasagjerëve, shtigje për këmbësorët dhe trotuare, si edhe organizimin e parkimit dhe të hapësirave për taksitë, autobusët dhe mjetet që lënë apo marrin pasagjerë.
Projekti për Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas ka nisur zbatimin nga vitit 2021 dhe është ende në proces e sipër pa një datë të saktë të përfundimit të saj. Linja është projektuar për shpejtësi prej 70–100 km/orë.
Objektivi i deklaruar nga autoritetet është që linja Tiranë – Durrës – Rinas të nisë operimin në fund të vitit 2027, por pa përfshirë ndërtimin e 4 km që do të rikthejnë stacionin e trenit në kryeqytet.
(A2 Televizion)