Policia ka sqaruar situatën pas të shtënave të raportuara gjatë kontrolleve në territorin e Krujës, duke deklaruar se nuk bëhej fjalë për një përplasje me armë zjarri mes disa personave.
Sipas Policisë, strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryenin kontrolle në zona të ndryshme të rrethit Krujë, në kuadër të operacionit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit.
Rreth orës 11:30, një punonjës policie, pjesë e një prej grupeve të kontrollit, ndodhej në një zonë të pyllëzuar dhe malore të Njësisë Administrative Cudhi, dhe për të larguar rrezikun nga kafshët e egra, ai qëlloi me armë zjarri në ajër.
Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në zonë, punonjësi nuk mundi të komunikonte me grupet e tjera të kontrollit. Si pasojë, kur dëgjuan të shtënat, policët e grupeve të tjera dyshuan fillimisht se mund të ishte qëlluar nga ndonjë person.
Pas verifikimit, policia sqaroi se të shtënat ishin kryer nga punonjësi i policisë dhe situata u dokumentua sipas procedurave ligjore.
Deri tani, sipas policisë, janë konstatuar dhe asgjësuar rreth 300 bimë kanabisi.












