Banorët e Karashajt (Kasharit) në Lushnjë janë zgjuar mëngjesin e kësaj të marte me një situatë të paparë, kur tonelata peshk i freskët kanë dalë në sipërfaqe, për shkak se bashkia ka vendosur të thajë rezervuarin.
Siç shihet dhe nga pamjet që tashmë kanë bërë xhiron e rrjetit, mijëra tonë peshk kanë dalë në sipërfaqe dhe kanë ngordhur, ndërsa banorët janë futur mes baltës për të kapur çfarë ishte ende gjallë.
E gjitha çfarë ka ndodhur, është një katastrofë ekologjike sepse peshqit dhe gjithë gjallesat e tjera në këtë rezervuar me sipërfaqe 100 hektarë, kanë ngordhur.
Bashkia e Lushnjës ka vendosur të rikonstruktojë portat dalëse të rezervuarit të Karashajt (Kasharit) ndaj ka zbrazur ujin për të nisur punën. Ai shërben për vaditjen e tokave të Lushnjës dhe furnizohet me ujë nga kodrat e disa fshatrave.
Sipas bashkisë, do të betonohen pjesët kryesore te rezervuarit ndaj disa muaj më parë ishte lajmëruar pronari që menaxhonte rezervatin e peshkut, ta largonte prej aty, por kjo nuk ka ndodhur.
“Çfarë mase? Nuk e di çfarë mase. Ato më thanë: “Merr masa, se do të thajmë rezervuarin.” Ku ta çoj? Ju e shikoni sa peshq janë. Janë me mijëra. Mirë, po ku dal? E di unë? S’e kam hedhur aty”, është shprehur Ylli Kashari, menaxher i peshkut në rezervuarin e Kasharit, Lushnjë.
Rezervuari i Kasharit eshte rreth 100 ha dhe eshte ndërtuar në 1984- 1985 për furnizimin me ujë te Lushnjës dhe për vaditjen e tokave bujqësore.
