
Një 70-vjeçare dyshohet se është dhunuar dhe grabitur në banesën e saj në fshatin Akërni. Ngjarja ka ndodhur më 26 shtator dhe policia ka shpallur në kërkim një 43-vjeçar, banues në të njëjtin pallat me të moshuarën.
Sipas policisë, 43-vjeçari me inicialet F. Y. dyshohet se ka trokitur në derën e banesës dhe, pasi 70-vjeçarja i ka hapur, e ka goditur me sëpatë në kokë. E moshuara ka mbetur pa ndjenja pas goditjes.
Më pas, autori i dyshuar ka kontrolluar banesën dhe ka marrë rreth 700 mijë lekë të vjetra.
Policia dyshon gjithashtu se 43-vjeçari, para se të largohej nga banesa, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj 70-vjeçares.
Pas denoncimit, grupi hetimor ka marrë në pyetje të moshuarën dhe ka sekuestruar si provë materiale sëpatën që dyshohet se është përdorur në sulm.
43-vjeçari F. Y. është shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave. Sipas burimeve policore, ai dyshohet se është edhe përdorues i lëndëve narkotike.

