Noka: Begaj foli me gjuhën e Ramës! Turp për Këshillin e Sigurisë, skandalin e SHISH e trajtoi si përgjegjësi individuale
Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Partia Demokratike ka artikualuar akuza të forta ndaj Presidentit të Republikës dhe qëndrimit të kësaj strukture ndaj akuzave që SPAK-u ka ngritur ndaj ish-numrit një të shërbimit secret Vlora Hyseni.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një intervistë për “Vizion Plus” deklaroi se Këshilli ishte një mbledhje e bashkëpunëtorëve të Ergys Agasit, të arrestuar me akuzën për grup të strukturuar kriminal.
“Si mund të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe konkluzioni të jetë; është përgjegjësi individuale! Kjo është turp, e faqe e zezë për një institucion!”, tha Noka për Vizion Plus.
Noka akuzoi edhe drejtuesin e komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror Elvis Lila, si një prej personave që ka ndihmuar me informacione krimin, duke nënviziar se ai nuk mund të drejtojë shërbimin secret shqiptar.
“Elvis Lila dhe Jurgen Kola së bashku me Vlora Hysenin janë grupi që kanë drejtuar operacionalen për të përgjuar dhe monitoruar ambasadat; për të përgjuar dhe monitoruar opozitën e vendit; rivalët e Gysit, dhe për të bërë gjueti shtrigash brenda vetes“, u shpreh Noka.
Sipas PD përgjegjës për situatën e krijuar me shërbimin sekret shqiptar, por edhe për rastet e tjera për korrupsion që po hetohen nga SPAK-u është përgjegjës Kryeministri Edi Rama, i cili duhet të japë dorëheqjen.
“Edi Rama është autori dhe ideatori i gjithckaje. Instrumentat me të cilat ka bërë vjedhjen, krimin e korrupsionin janë; Gysi, Belinda, Vlora, Erjon Veliaj, Ilir Beqja, Arben Ahmetaj“, tha Noka.
Por përtej denoncimeve kundër qeverisë e mazhorancës socialiste, Partia Demokratike po bëhet gati për betejën e zgjedhjeve lokale dhe deri në fund të muajit nëntor pritet që t’i ketë shpallur kandidatët për bashkitë e vendit.
“Te jeni te sigurte qe brenda afatit qe percakton statuti jemi gati”, shtoi ai.
8 muaj para zgjedhjeve partia më e madhe e opozitës po përpiqet që të gjitha forcat politike kundër Edi Rama të bashkohen në një front për zgjedhjet lokale dhe opozita të paraqitet me kandidatë të përbashkët në betejën për bashkitë.




