Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë. Shkak janë bërë punimet për rehabilitimin e shkarkuesit kryesor.

Në pamje shihet se rezervuari është tharë dhe mijëra peshq kanë mbetur në baltë. Një pjesë e tyre janë dekompozuar, duke krijuar ndotje mjedisore.

Shkarkuesi i rezervuarit prej kohësh ishte i bllokuar dhe për rehabilitimin e tij, Bashkia e Lushnjës ka akorduar një fond prej 32 milionë lekësh.

Ndërhyrja duhet të kishte përfunduar para 1 viti, por firma që ka fituar tenderin ka kërkuar shtyrje të afatit të punimeve.

Banorët thonë se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga ish-administratori i peshkimit kanë ndikuar në bllokimin e tij.

Megjithatë kjo pritet të sqarohet nga bashkia, e cila ende nuk ka reaguar për situatën e rëndë mjedisore dhe ecurine e punimeve në rezervuar.