
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vjen pasditen e të mërkurës në Tiranë, nga ku do vijojë një seri vizitash në Ballkanin Perëndimor. Mbërritja e shefes së ekzekutivit të Europës parashikohet rreth orës 16.00.
Në kryeqytetin shqiptar, ajo do të takohet fillimisht me kryeministrin Edi Rama, me të cilin pritet të dalë edhe në një konferencë për shtyp, rreth orës 17.00.Më pas, VDL do të takojë Presidentin e Republikës, në agjendë rreth orës 18.30, me të cilin përmbyll dhe takimet në Tiranë, për të vijuar më pas me Malin e Zi.
Vizita e Presidentes së Komisionit Europian vjen në një moment kur mediat ndërkombëtare njoftojnë se Brukseli po përgatitet të jetë më konkret, me data dhe afate, në raport me disa vende kandidate, si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.
“Këto katër vende shihen si pretendentët kryesorë për t'u anëtarësuar në BE, por ende përballen me ecuri të ngadaltë dhe afate kohore të paqarta lidhur me kohën kur mund të pranohen zyrtarisht. Ndonëse Brukseli ika mbështetur prej kohësh përpjekjet e tyre për anëtarësim, këto udhërrëfyes shënojnë herën e parë që atyre u jepen garanci se, nëse vazhdojnë me reformat thelbësore, do të pranohen – si dhe u ofrohen afate kohore orientuese për përfundimin e negociatave”.
Ndërsa sipas Radio Evropa e Lirë, anëtarët e rinj do të ketë të drejta të kufizuara, sidomos sa i përket vetos.
“Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (REL), mekanizmat për anëtarët e ardhshëm, që po përgatit Komisioni, do të synonin kufizimin e mundësisë për bllokimin e vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit, ndërsa shtetet anëtare ekzistuese do të kishin në dispozicion instrumente për të reaguar nëse anëtaret e reja, pas anëtarësimit, devijojnë nga detyrimet e marra përsipër”.
Sipas të njëjtave burime, anëtarët e rinj nuk do të kenë komisionerët e tyre, pasi Komisioni propozon që numri i tyre të reduktohet nga një për secilin shtet, siç është aktualisht, në 2/3 e vendeve anëtare, me rotacion të barabartë. (A2 Televizion)