Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim ditën e djeshme në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ka ngritur një sërë çështjesh që lidhen me Kosovën, proceset gjyqësore ndaj 4 ish-krerëve të UÇK në Hagë dhe zhvillimet në Serbi.
Lidhur me zgjedhjet e përsëritura parlamentare që janë zhvilluar gjatë një harku të shkurtër kohor në Kosovë, Berisha tha se ato janë zhvilluar në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare.
“Zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, për sa i përket respektimit të parimeve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare, pavarësisht motivit të tyre, janë zhvilluar në përputhje me këto parime”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se përsëritja e zgjedhjeve për shkak të mos-dakordësisë për zgjedhjen e Presidentit duhet të shmanget, duke kërkuar asistencën e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik”, theksoi Berisha.
Duke folur për dënimin me 81 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Berisha kritikoi proceset gjyqësore dhe pretendoi se ndjekja penale ka ndjekur “linja të qarta etnike”, ndërsa kërkoi që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet në mënyrë më objektive. Për Berishën, Gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin, që është Serbia.
"Dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive", shtoi Berisha.
Nër përfundim Berisha foli edhe për varrimin me nderime të larta shtetërore në Serbi të Ratko Mlladiç, i njohur si 'kasapi i Bosnjës' për gjenocidin në Srebrenicë.
“Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike”, përfundoi Berisha.








Komente
Komento