Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundmi në fshatin Akërni të Vlorës, ku një e moshuar është dhunuar, grabitur e gati sa nuk është përdhunuar nga autori i ngjarjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur para tre ditësh, paraditen e së shtunës, kur shtetasi F. Y i cili banonte në të njëjtin pallat me të moshuarën, thuhet se ka trokitur në derën e saj.
Me të hapur derën e shtëpisë së saj e moshuara, 43-vjeçari e ka qëlluar me sëpatë mbas koke duke e lënë atë pa ndjenja në vend, ka hyrë brenda shtëpisë së saj dhe i ka vjedhur rreth 700 mijë lekë të vjetra që mendohet t’i ketë lënë mënjanë si kursime nga pensionet e marra ndër muaj.
Referuar hetimeve të bëra në kuadër të zbardhjes së plotë të ngjarjes, pas denoncimit të marrë, policia ka dyshimet e saj se autori ka tentuar dhe ta përdhunojë të moshuarën. Sakaq, bëhet me dije se blutë e Vlorës kanë sekuestruar në cilësinë e provës sëpatën, ndërsa kanë marrë në pyetje dhe të moshuarën.
Po ashtu, po punohet intensivisht për arrestimin e autorit të ngjarjes, i cili njihet në zonë dhe si përdorues i lëndëve narkotike.
