‘Hëngri’ 7 gola nga Finlanda’, trajneri i San Marinos: Kthesa do vijë me Shqipërinë
San Marino përgatitet për një përballje të vështirë ndaj Shqipërisë, me skuadrën e Roberto Cevolit që kërkon të befasojë kuqezinjtë në sfidën e radhës.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i San Marinos vlerësoi maksimalisht Shqipërinë dhe ekipin e drejtuar nga Rolando Maran, duke theksuar cilësitë individuale dhe organizimin e kuqezinjve.
“Skuadra e Rolando Maran, një ekip që e njoh mirë, është një formacion i kompletuar dhe me talente të mëdha individuale”, u shpreh Cevoli.
Tekniku i San Marinos kërkon nga lojtarët e tij një tjetër qasje në fushë, sidomos pas paraqitjes ndaj Finlandës, ku pësoi humbje 7-0. Cevoli theksoi se skuadra duhet të rikthejë karakterin dhe vendosmërinë e treguar në ndeshjet e mëparshme.
“Duhet ta gjejmë sërish veten dhe të tregojmë sërish se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Jam i bindur se kombëtarja do të tregojë atë vendosmëri që disi mungoi ndaj Finlandës”, deklaroi ai.
Shqipëria vjen në këtë përballje me objektivin për të marrë maksimumin, ndërsa San Marino shpreson të shfrytëzojë çdo mundësi për të prodhuar surprizën. Kuqezinjtë, megjithatë, synojnë të ruajnë përqendrimin dhe të mos i japin hapësira kundërshtarit në një sfidë ku presioni është në anën e tyre.




