SYRI TV/ PS normalizon skandalin e SHISH dhe AKSHIT, Balla: Korrupsion ka dhe në Gjermani

15:25, 29/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Socialiste ka vijuar të justifikojë skandalin e SHISH dhe AKSHI-t, me refrenin e përhershëm që korrupsion ka edhe në vende si Gjermania. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i pyetur për denoncimet se Ergys Agasi e ka shkarkuar nga posti i ministrit, nuk e mohoi, por deklaroi se nuk do të komentojë subjekte që kanë llogari me drejtësinë. Balla konfirmoi se PS i ka votat për të vijuar me miratimin e reformës së njëanshme territoriale.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë tentuar sërish të minimizojnë skandalin e SHISH-it, ku drejtoresha në detyrë, Vlora Hyseni, u arrestua me akuzën se ka shpërndarë sekrete shtetërore dhe ka përkrahur Ergys Agasin, i akuzuar si pjesë e një organizate kriminale. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u mundua të normalizojë ngjarjen e rëndë që cenoi sigurinë kombëtare, duke thënë se dosje korrupsioni ka edhe Gjermania.

I pyetur mbi denoncimet se Ergys Agasi ishte personi që ndikoi në shkarkimin e tij si ministër i Brendshëm, Taulant Balla nuk e mohoi, por iu shmang përgjigjes duke thënë se tashmë ai ka llogari të hapura me drejtësinë.

Ndërsa njoftoi se Partia Socialiste i ka votat për të miratuar reformën e njëanshme territoriale, Balla justifikoi refuzimin e konsensusit dhe shqyrtimit të draftit të opozitës, me argumentin se nuk është diskutuar më parë në këshillat bashkiakë.

Por kur u vendos përballë faktit që draftin e mazhorancës e kanë refuzuar 15 bashkitë që shkrihen, kreu i grupit parlamentar socialist përdori si argument qëndrimin e bashkive që nuk preken nga ndarja e re territoriale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco