
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.
Deputetët e PD-së kishin kundërshtuar procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Shabanit, i cili u votua me 85 vota pro në seancën plenare të 11 dhjetorit.
Në kërkesën e tyre, demokratët pretenduan se procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Gjithashtu, PD ngriti pretendime edhe për pajtueshmërinë e Shabanit me funksionin që mban.
Përplasja politike për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nisi pasi Partia Demokratike tërhoqi firmat për kandidatët që kishte mbështetur për këtë post. Mes tyre ishte edhe Endrit Shabani, për të cilin PD deklaroi se nuk gëzonte më mbështetjen e saj.
Pavarësisht tërheqjes së firmave nga opozita, kandidatura e Shabanit u votua në Kuvend nga mazhoranca, duke siguruar 85 vota pro.
Me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e PD-së, duke lënë në fuqi zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit./Versus.al

