Ndryshime në drejtimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Suela Popa është prezantuar në detyrën e drejtoreshës së re të institucionit.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ku ajo ka vlerësuar rëndësinë e FSDKSH-së në funksionimin e sistemit shëndetësor.
Sipas ministres, drejtimi i këtij institucioni kërkon eficiencë dhe përgjegjshmëri, veçanërisht në administrimin e fondeve publike dhe në mënyrën se si ato përkthehen në shërbime për qytetarët.
“FSDKSH ka një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit shëndetësor, ndaj drejtimi i saj kërkon eficiencë, përgjegjshmëri dhe një vëmendje të vazhdueshme te mënyra se si fondet publike kthehen në shërbime më të mira për qytetarët”, tha Spahiu.
Ministrja theksoi se nën drejtimin e ri synohet rritja e efikasitetit në përdorimin e fondeve publike, si dhe forcimi i bashkëpunimit me aktorët e ndryshëm të sistemit shëndetësor dhe spitalor.
Spahiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për punën e drejtuesit të deritanishëm të FSDKSH-së, Ilir Topi, ndërsa i uroi Suela Popës sukses në detyrën e re.
“Me Suela Popën do të punojmë për të forcuar këtë qasje dhe për të rritur bashkëpunimin me të gjithë aktorët e sistemit. Falënderoj Ilir Topin për kontributin e tij në drejtimin e FSDKSH dhe i uroj Suela Popës shumë suksese në këtë përgjegjësi të re!”, theksoi ministrja.

