Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar Panelin e Apelit që do të shqyrtojë kundërshtimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Paneli përbëhet nga gjyqtarja franceze Michèle Picard, gjyqtari gjerman Kai Ambos dhe gjyqtarja norvegjeze Nina Jørgensen.
Të tre gjyqtarët kanë përvojë në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe kanë shërbyer edhe në procedura të mëparshme pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Michèle Picard
Michèle Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris. Më herët, ajo ka shërbyer si gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa ka pasur angazhime edhe në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe vende të tjera.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Picard ka drejtuar panelet e Apelit në çështjet ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.
Kai Ambos
Kai Ambos, me shtetësi gjermane, është profesor i së drejtës penale dhe së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Göttingenit.
Ai ka punuar si avokat mbrojtës dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Ambos ka qenë gjithashtu anëtar i Paneleve të Apelit në çështjet Gucati dhe Haradinaj, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Nina Jørgensen
Nina Jørgensen është profesoreshë e së drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit. Ajo ka përvojë në disa institucione të drejtësisë penale ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalin për Ruandën, Gjykatën Speciale për Sierra Leonen dhe Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias.
Edhe Jørgensen ka shërbyer si anëtare e Paneleve të Apelit në çështjet Gucati dhe Haradinaj, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Apeli pas aktgjykimit
Caktimi i këtij paneli vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026 ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit përmes procedurës së apelit. Paneli i Apelit do të shqyrtojë parashtresat e palëve dhe çështjet që i nënshtrohen shqyrtimit në këtë fazë të procedurës.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se është ende herët të përcaktohet kohëzgjatja e procedurës së apelit, pasi ajo do të varet nga kompleksiteti i çështjes dhe nga ecuria e procesit.

