Një vatër zjarri ka rënë mesditën e sotme në kodrat me ullishte në Gorishovë, në njësinë administrative Cakran, bashkia Fier. Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ullishte dhe masiv pyjor, të favorizuara edhe nga era, duke alarmuar banorët e zonës.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve. Ndërhyrja po kryhet me vështirësi për shkak të terrenit të thyer, ndërsa fatmirësisht zjarri ndodhet larg zonës së banuar.
Kjo vatër zjarri vjen vetëm një ditë pas zjarrit që përfshiu zonën e Cakranit, në kodrat e Kreshpanit, ku u shkrumbuan rreth 2 mijë rrënjë ullinj dhe u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke.
